“Amazona është pjesë e Brazilit”, Bolsonaro në OKB: Nuk është trashëgimi e njeriut

schedule18:35 - 24 Shtator, 2019

schedule 18:35 - 24 Shtator, 2019

Në fjalimin e mbajtur në selinë e Kombeve të Bashkuara, presidenti brazilian Jair Bolsonaro ka deklaruar se zjarret në Amazonë janë një çështje e brendshme e Brazilit dhe u ka bërë thirrje shteteve të tjera që të mos ndërhyjnë.

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro ka deklaruar gjatë fjalimit të tij në selinë e Kombeve të Bashkuara se zona pyjore e Amazonës është pjesë e integritetit territorial të vendit të tij dhe e askujt tjetër. Në këtë mënyrë ai u ka kërkuar liderëve ndërkombëtarë që të mos ndërhyjnë në punët e brendshme dhe madje ka përdorur edhe tone sfiduese. “Është gabim të mendohet se Amazona është trashëgimi e njerëzimit dhe është një përkufizim i gabuar ai i ambjentalistëve se pyjet e Amazonës janë mushkëritë e botës”, ka thënë Bolsonaro. Ai ka kritikuar mbulimin e ngjarjes nga mediat ndërkombëtare, si dhe qasjet sipas tij kolonialiste të disa vendeve. “Duke përdorur falsitete të tilla, disa shtete në vend që të ndihmonin u sollën në mënyrë të turpshme dhe me prirje kolonialiste. Madje, ata vunë në dyshim edhe vlerën tonë më të shenjtë, sovranitetin tonë”, ka vijuar Bolsonaro. Politikat e presidentit për ta vendosur zonën e Amazonës në shërbim të zhvillimit urban janë kritikuar ashpër nga liderët ndërkombëtarë, në një kohë kur zjarret masive që kanë përfshirë pyjet vazhdojnë. Mbi 80 mijë zjarre kanë rënë që nga fillimi i vitit, me ekspertët që besojnë se shumica është shkaktuar nga dora e njeriut, kryesisht nga fermerët dhe prerësit ilegalë të drunjve. Ambjentalistët thonë se politikat e zotit Bolsonaro kanë çuar në një rritje të zjarreve këtë vit dhe se ai vetë ka inkurajuar fermerët që të spastrojnë zona të tëra të pyjeve që prej zgjedhjes së tij tetorin e kaluar. /ABC News Albania 24/7