Autoriteti i Mediave Audiovizive ka vendosur që të shtyjë dixhitalizimin me katër muaj pas ankesave të shumta të qytetarëve prej ditës së djeshme, kur u fik sinjali në qarqet e Tiranës dhe të Durrësit. Kreu i AMA-s, Gentian Sala deklaroi se sinjali analog do të jetë aktiv deri në datë 15 Janar të vitit 2019.
Një ditë pas fikjes së sinjalit televiziv analog, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka vendosur ta rindezë atë. Transmetimet televizive në teknologjinë analoge do të vazhdojnë edhe për 4 muaj të tjerë, krahas atyre dixhitale. Kreu i AMA-s Gentian Sala, sqaroi se ky vendim u mor pas shumë ankesash nga qindra qytetarë që janë gjendur të papërgatitur për këtë ndryshim.
“Duke patur parasysh një interesim të pazakontë të qytetarëve, gjë e cila ka sjellë një konfuzion për pajisjen me dekodera dixhitalë. Për të mos krijuar pakënaqësi kemi vendosur rindezjen e operatorëve për transmetime analoge. Kjo do të thotë që do vazhdojë bashkëoperimi i të dyve teknologjike njëkohësisht, si ajo dixhitale dhe ajo analoge”, tha Sala.
Fushata e informimit do të vazhdojë, theksoi kreu i AMA-s, pasi ka shumë kategori njerëzish që nuk janë të qartë në këtë drejtim.
“Ne mendojmë që gjëja më e mirë është që të shtyhet ky proces. Nuk ka të humbur nga ky proces, si nga qytetarët që e kanë blerë dekoderin mund të shohin më shumë kanale dhe qytetarëve që e kanë lënë në momentin e fundit këtë proces u lihet më shumë kohë për të blerë dekoderat”, u shpreh kreu i AMA-s.
Megjithatë Sala sqaroi se nuk do rindizen sinjale analoge të paautorizuara, por vetëm ato që janë të licencuara nga AMA.
“Nuk do të thotë rindezje e transmetimeve dixhitale të paautorizuara. Do të thotë vetëm rindezje e transmetimeve analoge të licensuara më parë nga AMA”, u shpreh Sala.
AMA u kujton qytetarëve në Tiranë dhe Durrës të pajisen me dekodera DVB-T2 deri më 15 Janar. Ndërkohë qytetarët që kanë blerë këtë dekoder dy ditët e fundit mund të vijojnë të shohin përmes tij transmetimet dixhitale në televizorët e tyre./abcnews.al