Alvin ndodhet në shtëpi! Odiseja e 11 vjeçarit që u çua në Siri nga e ëma e tij, për t’u bërë luftëtar i ISIS

schedule10:57 - 9 Nëntor, 2019

schedule 10:57 - 9 Nëntor, 2019

Alvin Berisha tashmë ndodhet në shtëpinë e tij në Itali së bashku me babain dhe dy motrat e tij. Por rruga për t’u rikthyer ka qenë një ferr i vërtetë. Për momentin dihet shumë pak nga ajo që mund të ketë përjetuar në pesë vite të qëndrimit në Siri, por ata që i kanë qëndruar pranë në momentet e rikthimit e përshkruajnë si një fëmijë te qetë dhe kurioz.

“Alvin, fëmija e ISIS, është rikthyer në Itali: Nuk më linin të shkoja në shkollë dhe mami vishej si ninxha” – është ky një nga titujt më të përdorur nga mediat italiane të cilat kanë pasyruar gjerësisht historinë e fëmijës me origjinë shqiptare Alvin Berish, i lindur dhe i rritur në Itali deri në moshën 6 vjecare.

Tashmë 11 vjec, në vitin 2014 ai u mor në Siri nga nëna e tij e cila ishte bërë pjesë e të ashtuquajturit Shtet Islamik.

Historia e tij u bë mediatike falë emisionit investigative të Mediaset Le Iene. Gazetari Luixhi Pelaca kishte shkuar vetë në kampin burg, dhe që nga moment kur nuk u kthye dot me vogëlushin, çdo ditë ka bërë apel për rikthiin e tij në Itali.

Gazetarët e emisionit investigativ Le Iene ndodheshin në kampin burg në veri të Sirisë ku mbahen 20 mijë gra të xhihadistëve dhe 49 mijë fëmijë. Mes këtyre është dhe 11 vjeçari Alvin Berisha.

I lindur dhe i rritur në Itali, por me shtetësi shqiptare, nëna e tij e rrëmbeu në moshën 6 vjeçare dhe shkoi në Siri për t’iu bashkuar Isis. Pas bombardimeve kurde për të shkatërruar bastionin e fundit të xhihadistëve në këtë zonë, nëna e tij me bashkëshortin e ri, një luftëtar të Isis dhe dy fëmijë të tjerë, mbesin të vrarë. Alvin ishte i vetmi i mbijetuar, dhe pse i plagosur rëndë dhe tashmë jeton vetëm në këtë kamp – burg.

Babai i tij, e ka kërkuar prej vitesh dhe vetëm tani mundi ta gjejë falë punës së gazetarit Italian “Le Iene” në këtë zonë pikërisht pak ditë para fillimit të sulmeve ushtarake turke.

Alvin ëshët shpallur i zhdukur në vitin 2014, sepse nëna e tij papritur dhe pa lajamëruar njeri vendosi të marrë djalin e saj dhe iu bashkua Isis.

Që kur ajo iku, babai i fëmijës nuk kishte më asnjë lajm për të birin.

“Të shohësh këto fotografi prej pesë vitesh ……Cfarë të ka bërë nëna jote…ishte i vogël shihni si ka qenë”…

Historia e kërkimit të tij nisi që tri vjet më parë, pikërisht nga emisioni Le Iene, kur babai i fëmijës, Berisha apeloi për gjetjen e të birit. Kur në 12 dhjetor të vitit 2014 bashkëshortja e tij vendosi tëbëjë gjënë më absurd që mund të mendohet, rrëmbeu fëmijën e saj 6 vjec dhe të nisej në Siri.

Deri pak kohë para ndodhisë, familja shqiptare, nëna, babai dhe tre fëmijët jetonin në Itali dhe kishin një jetë shumë normale. Berisha tregon se papritur gruaja e tij ndryshoi dhe mbulohej për të dalë në rrugë ose nëse dikush vinte në shtëpinë e saj, dhe filloi të lutej.

Nëpërmjet internetit ajo njihet me dikë që e radikalizon dhe brenda një kohe të shkurtër e bind që të marrë djalin e vogël dhe të niset për në Siri.

Pak muaj më parë papritur Berisha merr një letër nga Kryqi i kuq ndërkombëtar i dërgon një mesazh nga djali i tij Alvin i cili i shkruan në gjuhën angleze duke i thënë se e ka marrë malli  dhe i kërkon që ta marrë pasi do të kthehet në shtëpi.

“Nisa të qaj…shih…po rrënqethem”..

Letra e kryqit të kuq ndërkombëtar tregon se djali ndodhet në kampin e refugjatëve Al Hod në Siri në mes 73 mijë personave. Letra daton në muajin qershor të këtij viti.

“Djali im ka lindur në Itali…tani është atje ka bërë këtë jetë dhe unë nuk e di si jeton. Gratë dhe fëmijët si jetojnë…nuk e di si mbijetojnë me këtë vapë, pa ushqime, pa ujë. Nuk kanë asgjë ecin zbathur mes gurëve…unë nuk e lë më këtu tim bir. Do të jetoj dhe unë këtu me ‘të. Zoti e mallkoftë. O Zot! Nuk mund ta lë këtu. Cfarë të ka bërë nëna jote…Ajo la dy fëmijë në Itali dhe solli djalin këtu..jo ..jo”

Më në fund Alvin vjen dhe duket qartë se ai çalon…Djali e ka pak të vështirë të komunikojë pasi e ka harruar totalisht gjuhën italiane. E vetmja mënyrë është nëpërmjet gjuhës shqipe.

Tashmë problem është se si të nxjerrin djalin nga kampi, kjo për arsyen se dhe pse Alvin ka lindur në Itali ku aktualisht jetojnë babai i tij dhe dy motrat, dhe babai i tij punon dhe paguan taksat në Itali, djali është me shtetësi shqiptare.

Për këtë arsye fillimisht është marrë një çertifikatë e përkohshme nga Shqipëria. Dhe për këtë gazetari kontaktoi me ambasadorin shqiptar në Turqi. I cili kishte premtuar se do të bëhej e pamundura që djali të rikthehej në Itali.

Por zëdhënësja kurde bën të qartë se vetëm prania e një të dërguari të qeverisë shqiptare mund të bënte të mundur daljen e Alvin nga kampi. Është e pamundur që Berisha të marrë djalin e tij me vete dhe as të qëndrojë atje me ‘të, ai detyrohet ta gënjejë duke i thënë se duhet të largohet për të bërë dokumentet gati.

Por mëngjesin e të premtes 8 nëntor ai u prit në aeroportin e Romës në Fiumicino nga babai i tij dhe dy motrat.

“Të thashë që do të kthehesh në shtëpi. Je bërë i madh, si një burrë i vogël”. Fëmija është pak i hutuar por buzëqesh. Babai i tij Afrim Berisha shpërthen në lot, pranë dy motarve të tij më të mëdha.

Ora 06.40 e mëngjesit, Fiumicino, aeroport: Misioni ka përfunduar vërtet. Alvin, 11 vjeç, fëmija që nëna e tij dëshironte ta transformonte në një luftëtar të vogël për xhihadin, është në territor Italian, në shtëpi.

Menjëherë më pas ai udhëtoi për në Barzago, komunë e Lekos në Itali ku ka lindur dhe ku jetonte me babain, dy motrat dhe nënën Valbona – e transformuar në një luftëtare të Isis – e cila e rrëmbeu, e mori me forcë na vijon dhe e hodhi në ferrin e luftës së Isis.

Alvin u detyrua t’i thoshte lamtumirë shkollës, të ndryshonte emrin në Jusuf, dhe të harronte gjuhën italiane për të folur vetëm në arabisht.

Veshur ka bluzën dhe kapelen e kryqit të kuq, dhe tashmë i është rikthyer jetës së tij: ai mbahet për dore deri në përqafimin me familjen e tij – nën mjegullën dhe shiun e FIumicionos në orët e para të mëngjesit – nga policia italiane dhe zyrtarët e shërbimit të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ky i fundit realizoi me sukses operacionin e shpëtimit së bashku me autoritetet shqiptare, mbështetjen e qeverisë italiane dhe bashkëpunimin me hetuesit në Milano, agjentët e shërbimit secret në Itali dhe prokurinë në Milano.

“Èshtë një histori shumë e bukur”, u shpreh Alberto Nobili, prokurori i anti terrorizmit në prokurorinë e Milanos. Xhuzepe Spina, përfaqësues i shërbimit për bashkëpunimin ndërkombëtar theksoi se në 40 vjet ishte hera e parë që mbante një konferencë për shtyp dhe shihte përreth vetëm buzëqeshje dhe fytyra të lumtura.

Ndërsa Francesko Roka, president i lëvizjeve ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe gjysëm hënës së kuqe, përpiqet të nxjerrë një trashëgimi nga kjo ngjarje e pabesueshme:

“Alvin është emri i një shprese, që sot nëpër botë,” do të shprehej ai. Më tej ai shtoi se dëshironin të dëshmonin se si operatorët humanitarë mund të veprojnë, të bëjnë shumë, por jo vetëm, vetëm nëse ka dhe vullnet nga qeveritë e ndryshme, bashkohen forcat.

Si në këtë rast, dhe është e sigurtë se ky rast do të prodhojë rezultate të mira. Ai tha se që të premten ishte kontaktuar nga tre kryqe të kuq në botë: Maldive, Holandë dhe vende të tjera. Ai është i bindur se nëse shtetet lëvizin, shumë fëmijë mund të shkëputen nga lufta.

Gjenerali i karabinierëve Xhuzepe Spina, drejtor i SCIP, në fillim të konferencës për shtyp që u mbajt në terminalin 5 në aeroportin e Fiumicions në Romë, sqaroi se nëna e Alvin, Valbona Berisha, ka mbetur e vrarë në korrik të një viti më parë, në territor sirian gjatë luftimeve.

Ajo ishte radikalizuar duke u bërë pjesë e Kalifatit, pasi mori me vete pesë vjet më parë, djalin e vogël.

Në lidhje me operacionin e komplikuar që mundësoi kthimin e Alvin në shtëpi, prokurori Nobili theksoi se ky ishte rasti i parë në Europë, i një jetimi në një zonë lufte, që i rikthehet familjes së tij.

Një lojë skuadre e jashtëzakonshme. Nga përgjimet ai mbante mend kur Alvin i dëshpëruar i thoshte babait të tij se nuk e linin të shkonte në shkollë, se nëna e tij vishej si ninxha, dhe se si ai e shihte veten në një botë sureale.

Kjo është dhe një nga arsyet se pse me shpëtimin e Alvin hapet një faqe e re, atje ka shumë fëmijë për të shpëtuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!