Andorra nuk do të vijë pa pretendime në “Elbasan Arena”. Kombëtarja modeste synon pikë ndaj Shqipërisë, pasi kërkon të dalë në vendin e pestë në grupin e Europianit.
Kur luajti ndaj nesh nuk pati asnjë shans, por këto eliminatore mund të quhen historike. Andorra, e mundur 3-0 nga Shqipëria në fushën e saj, arriti fitoren e parë në historinë e eliminatoreve Europiane e Botërore, duke mundur Moldavinë në tetor, e duke pasur më në fund mundësi për të luftuar për diçka.
Trajneri Koldo Alvarez po e përgatit skuadrën e tij, me synimin që të arrijë vendin e parafundit në grupin eliminator H në Euro 2020, në konkurrim me Moldavinë. Kombëtarja e shtetit tepër të vogël është me moral të lartë, pasi më në fund e pati një fitore pas 56 ndeshjeve tw humbua mw parw nw eliminatore të Europianit.
“Ne kemi një shans historik që të dalim në vendin e pestë në grup, – tha Alvarez, – kjo është diçka që nuk ka ndodhur kurrë dhe ne duhet të japim maksimumin për t’ia dalë. E dimë sesa e vështirë do të jetë ndaj Shqipërisë dhe Turqisë, por ne do të bëjmë tonën. Moldavia po ashtu ka ndeshje shumë të vështira. Nuk mund të bëj parashikime, por më e rëndësishme është përballja me Shqipërinë, pasi është ajo e radhës”.
Lojtari më i dalluar i Andorrës është Mark Vales, që luan për Sandefjordin në Norvegji, ndërsa futbollistë si Mark Garsia, Maks Jovera apo Albert Alavedra janë në ligat e ulëta në Spanjë. Pjesa tjetër e kombëtares luan në kampionatin vendas. Andorra ka 3 pikë në renditje, po aq sa Moldavia. /ABC NEWS ALBANIA 24/7