“Alo, na vranë!” Harizaj u hodh në erë për një borxh, telefonata pas shpërthimit

schedule15:20 - 10 Janar, 2022

schedule 15:20 - 10 Janar, 2022

Nga Xhensila Kodra

Atentati me tritol ndaj biznesmenit Mikel Harizaj ishte përgatitur më herët. Referuar burimeve të policisë, ka rezultuar se mjetit Mazda i ishte vendosur një sasi tritoli më datë 30 Dhjetor, një ditë para ndërrimit të viteve.

Vrasësit kishin ndjekur lëvizjet e Mikel Harizajt duke e parë se ai qarkullonte me makinën tip Mazda, në pronësi të vjehrrit të tij.

Më datë 30 dhjetor 2021, kjo makinë po përdorej nga vjehrri i tij, i cili lëvizi në rrugën e lagjes “Kantier” në Cërrik. Pranë kësaj zone, një pjesë e rrugës është e ngritur me qëllim që makinat të ulin shpejtësinë. Pikërisht në këtë moment, hetuesit dyshojnë se lënda shpërthyese është shkëputur nga makina dhe ka rënë në tokë për shkak të tronditjes.

Në rrethana ende të paqarta, pikërisht kjo pako tritoli u gjend në duart e 27 vjeçarit Erion Rexhepit. Ajo i shpërtheu në dorë duke e lënë të vdekur në vend.

Atentati i dytë, 42 vjeçarit Harizaj iu përgatit në orët e para të mëngjesit të 7 janarit 2022. Ngjarja ndodhi në sy të një patrulle policie, e cila ishte në lëvizje pranë zonës së Selitës, në kryeqytet. Mjeti Mazda drejtohej nga objektivi Mikel Harizaj dhe pasagjer ndodhej kamarieri i tij. Të dy u plagosën rëndë.

Pasi kishin mbyllur lokalin dhe marketin në zonën e Xhamllikut në kryeqytet, 42 vjeçari Harizaj, së bashku me dy kamarierët në biznesin e tij, shkuan tek tregu agro ushqimor për të marrë disa produkte. Në kthim, njëri prej kamarierëve zbriti në zonën e Astirit. Autorët duket se i kanë vëzhguar më së miri lëvizjet e objektivit, dhe sapo mbërrijnë në zonën e Selitës, shpërthejnë mjetin. Bashkë me Harizajt mbeti i lënduar edhe 26 vjeçari Serini Dumi. Ky i fundit, pak minuta më pas mori në telefon bashkëshorten e Harizajt duke i thënë “Na vranë”.

Policia nuk ka ende të qartë momentin apo vendin se ku është montuar tritoli. Shkak i ngjarjes, dyshohen konfliktet e mëparshme të Harizajt, me origjinë nga Selenica e Vlorës, si dhe një borxh i pashlyer nga ana e tij. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!