“Alo Edi… alo Xhaçka?” Alibeaj: Tenderi 1.5 milionë euro për furnizimin me ushqime të Rezervave të Shtetit u bë pa garë

schedule15:49 - 31 Mars, 2020

schedule 15:49 - 31 Mars, 2020

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj në një deklaratë nga selia e PD u shpreh se tenderat fituese shpallen pa garë.

Alibeaj theksoi se kriteri i vetëm i vendosur nga Ministria për kompaninë fituese ishin kontratat për ekzekutimin e furnizimeve të ngjashme, të kryera gjatë tri viteve të fundit, në një vlerë jo më të ulët se 40% e vlerës së përllogaritur të tenderit.

Deklarata e plotë:

Alo Edi, Alo Xhaçka, telefoni ynë nuk ra.

Ju heshtët,

Nuk keni sesi të pergjigjeni, sepse ju doni të vidhni shqiptarët edhe në dite të zeza e krize, si sot.

Në Shqipëri ka 35.099 kompani, të cilat merren me tregtimin e mallrave ushqimorë, por Edi Rama dhe Olta Xhaçka, pritën 1 muaj që kompania që ata kanë zgjedhur për të ndarë paratë, të ndryshonte objektin.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, nën drejtimin e Edi Ramës, ka zhvilluar më datë 25 Mars 2020 një tender urgjent për “blerje paketa ndihme për familjet në nevojë dhe materiale mbrojtëse në mbështetje të personelit të Forcave të Armatosura të angazhuar në përballimin e emergjencës së shkaktuar nga rënia e pandemisë së virusit COVID – 19”, me vlerë rreth 1.5 milion Euro.

Pas 24 orësh nga shpallja e tenderit, kemi një fitues pa garë dhe oferta e vetme, nga 35.099 kompani në Shqipëri, fiton kompania filial nga Maqedonia “Eurovia” shpk.

Kriteri i vetëm i vendosur nga Ministria për kompaninë fituese ishin kontratat për ekzekutimin e furnizimeve të ngjashme, të kryera gjatë tri viteve të fundit, në një vlerë jo më të ulët se 40% e vlerës së përllogaritur të tenderit.

Alo Edi, Alo Xhaçka?

1. Kompania që keni vendosur të ndani plot 1.5 milion euro, a e ka eksperiencën e nevojshme në fushën e tregtimit të ushqimeve?
2. Sa muaj apo vite eksperiencë ka?
3. Si e gjetët këtë kompani për t’i dërguar ftesë për ofertë për blerjen e ushqimeve pa garë dhe pa shpallje publike?

Te dashur shqiptarë, ju që po prisni ndihmat në shtepitë tuaja, ju të moshuar që nuk mund të levizni dot as me dhe as pa leje, të presim pak se mos na marrin në telefon për të na sqaruar se çfarë po bëhet me 1,5 milion eurot e ushqimeve tuaja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!