Allmuça: Sherri me ortakun i hershëm, të dyshuarin e njoh vetëm si fytyrë

schedule16:00 - 16 Janar, 2021

schedule 16:00 - 16 Janar, 2021

Gjykata e Tiranës vendosi të lirojë nga qelia të 5 personat e arrestuar pak ditë më parë, pas përplasjes së armatosur të ndodhur në pallatin që po ndërtohet nga dy biznesmenët.

Gjyqtarja Rexhina Merlika caktoi arrest shtëpie për dy bashkë investitorët, Albert Allmuça dhe Sino Llanaj.

Ky i fundit, bashkë me një kalimtar të rastit mbetën të plagosur me armë mëngjesin e 13 janarit.

Lexo edhe: Konflikti mes ndërtuesve, arrest shtëpie për Sino Llanaj dhe Albert Allmuçën

Ndërsa për tre punonjësit e policisë private, Shkëlzen Byberi, Skënder Margjeka dhe Alfred Lumani, gjykata caktuar masën “detyrim paraqitje”. Ditën e ngjarjes ata ishin roje në kantierin në ndërtim.

Gjatë parashtrimeve, prokurori Dritan Nushi, kërkoi arrest në burg për të gjithë të hetuarit, duke i cilësuar si persona me rrezikshmëri.

Sipas tij, por edhe nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezultoi se biznesmeni Sino Llanaj bashkë me persona të tjerë kishte shkuar në kantier të pajisur me sende të forta.

Aty janë ndaluar nga rojet që të mos hynin brenda, por më pas kanë mundur të futen duke sulmuar njërin prej policëve privatë me shufër hekuri.

Fillimisht, Llanaj deklaroi në spital se njëri nga personat që e plagosi ishte ortaku Albert Allmuça.

Më pas rezultoi se ky i fundit nuk ndodhej në vendngjarje, por ishte njoftuar nga persona të tjerë se çfarë po ndodhte në kantier.

Prokuroria e akuzon Allmuçën për moskallëzim krimi, me argumentin se personi që ka qëlluar me pistoletë, i identifikuar dhe i shpallur në kërkim është punësuar prej tij për të ruajtur fizikisht pallatin, e në të mos të hyjnë persona të tjerë. Por kjo akuzë u hodh poshtë nga biznesmeni Allmuça.

I përlotur, ai tha para gjykatës se autorin e dyshuar e njeh vetëm si fytyrë por nuk ka asnjë njohje me të dhe se me Llanajn, konfliktet i ka të hershme.

Ndërsa biznesmeni Sino Llanaj u përfaqësua në gjykatë nga dy avokatët e tij, për shkak se vijon të qëndrojë i shtruar në spital.

Seanca zgjati për gati 3 orë, ndërsa para pallatit në rrugën “Ndre Mjeda”, banorët dolën sërish në protestë duke kërkuar përshpejtim të punimeve, ose t’u kthehen paratë që kanë paguar.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!