Kreu i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se do të jenë deputetët e grupit parlamentar ata që do të negociojnë me përfaqësues të Foltores për të bërë të mundur bashkimin e partisë.
“Nëse lexoni me kujdes qëndrimin, aty saktësohet se i gjithë Grupi Parlamentar shprehet i gatshëm të negociojë me kolegët e pezulluar, dhe kështu do të jetë: i gjithë Grupi Parlamentar do të jetë praktikisht pjesëmarrës në negociatë dhe sigurisht, vendimmarrës për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme që synon bashkimin. Vullneti fillimisht e pastaj procesi”, tha ai për “Panorama”.
Por kush janë më ata që po komunikojnë intensivisht me deputetët e “Foltores”? I ftuar në “Log.” pak ditë më parë, deputeti demokrat Dashnor Sula zbuloi edhe emrat e atyre që sipas tij janë në negociata me deputetët që mbështesin Berishën për të ribashkuar partinë.
Sipas tij, negociatorët mes grupit të Bashës dhe atij të Berishës janë deputetët Flamur Hoxha; Alfred Rushaj si edhe ai vetë. Madje, Sulaj tha se kishte eksperiencë në negociata të vështira duke rikujtuar zgjedhjen e presidentit në vitin 2007.
Këta të fundit do të përpiqen që të ngrenë një parti ndryshe nga ajo që është tani, ku të gjitha fraksionet do të gjejnë veten. /abcnews.al