Alibeaj: Letra e Tahirit pa vlerë. Prokuroria të hetojë ish-ministrin

schedule16:27 - 24 Tetor, 2017

schedule 16:27 - 24 Tetor, 2017

Nga Selia e Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj minimizoi vlerën e letrës që deputeti socialist Saimir Tahir tha se i ka mbërritur nga prokuroria e Katanias.

 “Saimir Tahiri mund ta tunde letren per militantet e oborrit, por per askend tjeter”

 Sipas Alibeajt, anëtar i Këshillit të Imunitetit në Parlament e që mban dhe postin e kreut të Departamentit të Rendit e Sigurisë në PD, Prokuroria e Katanias, ka arrestuar Moisi Habilajn dhe kërkon anëtarët e tjerë të bandës, sepse ata janë kapur duke e kryer aktivitetin kriminal në territorin e tyre, në Itali.

“Prokuroria e Katanias, nuk mund dhe nuk e ka për detyrë të procedojë Ministrin në Tiranë, që mbështet, lehtëson dhe i hap rrugën bandës në trafikun e drogës. 

Kjo është detyrë e prokurorisë shqiptare.  

Pikërisht, këtë detyrë të prokurorisë dhe drejtësisë shqiptare, Edi Rama dhe Saimir Tahiri po e pengojnë, duke mos pranuar kërkesën e saj”.

Alibeaj deklaroi se në 1800 aktakuzë, antimafia italiane ka prova, dëshmi, dhe fakte të drejtësisë që tregojnë përfshirjen direkte të Tahirit dhe përfitimet e tij në miliona euro nga trafiku i tonelatave me drogë.

“Çdo qytetar shqiptar do të ishte në burg me këto prova.  

Por Saimir Tahiri jo, sepse ka imunitet, dhe sepse e mbron Edi Rama.

Arsyet pse e mbron Edi Rama, tashmë janë të qarta për këdo. Sepse është i kapur, sepse Tahiri nuk do të rrinte duarkryq, por sic ia ka bërë të ditur, do të nxirrte provat dhe materialet që ka për përfshirjen direkt të Edi Ramës, të familjarëve të tij, të ministrave të tij, në afera të rënda kriminale”.

 Këto sipas demokratëve janë arsyet se pse kryeministri Rama mobilizoi grupin parlamentar për të rrëzuar kërkesën e prokrorisë dhe për të nisur sulmin ndaj saj, duke i dhënë Tahirit kohë të zhdukë provat.  Votimi i së enjtes në Parlament sipas opozitës është prova e socialistëve: për drejtësinë apo për krimin.