Alibeaj: Konfirmimi i Hallunajt, këmbanë alarmi!

schedule15:36 - 1 Gusht, 2018

schedule 15:36 - 1 Gusht, 2018

Deputeti demokrat Enekeljd Alibeaj ka akuzuar organet e vettingut për vendimmarrje politike, edhe për rastin e gjyqtarit Dritan Hallunaj, përgjegjës për lirimin si të pafajshëm të Arben Frrokut, për akuzën e vrasjes së komisarit Dritan Lamaj. Sipas demokratëve, vendime si ky, po vrasin besimin e shqiptarëve tek procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Konfirmimi në detyrë i gjyqtarit të krimeve të Rënda Dritan Hallunaj solli reagimin e menjëhershëm të Partisë Demokratike.

“Konfirmimi në detyrë i gjyqtarit të Krimeve të Rënda Dritan Hallunaj, përgjegjës për lirimin nga burgu të mikut të Edi Ramës Arben Frroku, vrasësit të komisarit Dritan Lamaj, është këmbanë alarmi për sistemin e ri të drejtësisë”.

Vendimi i pafajësisë për Arben Frrokun që mban datën 3 prill 2015…

Është i mjaftueshëm sipas ish-ministrit të drejtësisë Alibeaj, për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Hallunaj, vendimi i të cilit më pas u rrëzua nga gjykata e Apelit, gjykata e lartë dhe ajo Kushtetuese të cilat dhanë burgim të përjetshëm për Arben Frrokun.

“Nëse gjyqtarët konfirmohen në detyrë pavarësisht se kanë liruar nga burgu vrasës dhe individë të lidhur me krimin e organizuar, atëherë vettingu ka dështuar të kthejë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë”. 

Besim edhe i ndërkombëtarëve ky, thekson Alibeaj duke kujtuar deklaratën e ambasadorit amerikan Donald Lu referuar pikërisht rastit në fjalë.

Donald Lu: “Persona si Arben Frroku, që vrau një shef policie, por në mënyrë të mistershme u lejua të largohet nga vendi, ndërsa ishte në pritje të apelimit në gjykatë…janë llojet e përsonave që duhet të kenë frikë nga një sistem drejtësie funksional”. (17 nëntor 2015)

Konfirmimi i Hallunit në detyrë e ka një qëllim sipas demokratëve dhe është pikërisht emërimi i tij në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit, një nga organet më të larta të sistemit të reformuar të drejtësisë.

Vettingu hanxhar në duart e Edi Ramës. Kështu e quan ish-kryeministri i vendit Sali Berisha vendimin sipas tij kriminal të komisionit të Pavarur të Kualifikimit për gjyqtarin Hallunaj. Ky vendim, thekson Berisha, tregon se cilët do të jenë monstrat e drejtësisë së ardhshme të reformës Orëelliane që do të vendosin për të drejtat tuaja.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!