TIRANË- Partia Demokratike do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 14 majit me 15 kandidatë, ndërsa kjo formë gare ka shkaktuar debate brenda grupimeve të PD-së ashtu edhe tek baza e gjerë e demokratëve.
Për Ibsen Elezin, kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj e ka pasur të pamundur të garojë në 61 bashki pasi nuk e di se sa mbështetje ka në terren.
“Ka qenë e pritshme për njerëzit që gjykojnë. Enkelejd Alibeaj e ka pasur të pamundur të kandidojë në çdo bashki. Vetë Alibeaj, duke e ditur influencën e tij në PD, është mundur ta fshehë dhe të mos e bëjë ballafaqimin. Alibeaj nuk e di se sa persona e mbështesin në terren. Edhe listat e këshillit bashkiak i kanë në mënyrë të njëanshme, sepse nuk kanë procesi se si I bëjnë”, tha ai.
Ai thotë se fakti, që ka nxjerrë 15 kandidatë në garë tregon se PD-në e ka rreshtuar në një parti në minorancë pasi ka zgjedhur të bëjë opozitën brenda opozitës dhe jo të përballet me qeverinë e Edi Ramës.
“Së pari, akti që ka pranuar të ketë 15 kandidatë, do të thotë se ka pranuar të jetë parti në minorancë. Është një parti, e cila nuk mund të marrë në dorë edhe të paraqesë shpresën për rrëzimin e Edi Ramës, Berisha dhe Alibeaj, kanë diferenca të mëdha. Berisha është poltikan. Alibeaj është amator dhe nuk e kupton se si organizohet aksioni politik i një partie. Ai nuk e njeh lojën ne politikë dje duke mos e njohur, ai do të dështojë”, theksoi ai.
Gjatë intervistës në Abc News, Elezi u shpreh se Berisha dhe Alibeaj do humbasin thellë dhe sfida e tyre kryesore është mbijetesa politike. Ai tha se të dyja grupimet në PD janë më të dobët se në vitin 2021.
“Kush po pyet për humbjen dhe fitoren? Ata janë në luftë për mbijetesën e tyre politike. Do bëjnë çdo gjë për të mbijetuar dhe kjo është loja e tyre politike. Edhe krahu i Berishës e di humbjen. Po të jenë të dy bashkë, do jenë më dobët se 2021. Nuk kanë sjellë asgjë të re, duke parë që edhe Departamenti i Shtetit e sulmon, do apo nuk do Berisha, kjo është një ndikim I madh në opinionin publik”, theksoi ai./n.m.abcnews.al