Në përfundim të seancës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për kontrollin e figurës së Prokurores së Përgjithshme të Përkohshmë Arta Marku, Partia Demokratike reagoi përmes deputetit Enkelejd Alibeaj.
“Arta Marku, e deleguara e Edi Ramës në Krye të organit të Prokurorisë, pritet të konfirmohet në detyrë, jo sepse përmbush kriteret e vendosura nga ligji, por se kriteret e kualifikimit që po aplikohen kanë si kusht kryesor se cili gjyqtar apo prokuror i shërben më shumë Edi Ramës dhe qeverisë së tij të korruptuar”.
Për të ilustruar argumentin, ish-ministri i Drejtësisë, Alibeaj, referon legjislacionin në fuqi.
“Është fakt i njohur botërisht që Arta Marku në 6 muaj në krye të organit të Prokurorisë, ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin, duke bërë emërime e komandime të paligjshme të prokurorëve, duke emëruar e shkarkuar drejtues prokurorie, edhe pse neni 160, pika 2 e ligjit për statusin e magjistratit, ia ndalojnë shprehimisht këtë”.
Neni në fjalë i lejon Prokurorit të Përgjithshëm, që deri në krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të pezullojë prokurorët, por jo të emërojë apo zëvendësojë ata, si ndodhi edhe me kryeprokurorin e Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, sot i zëvendësuar nga një tjetër prokurore, Donika Prela, fakte këto që duhen hetuar nga Komisioni i Kualifikimit sipas selisë blu.
“Shkelja e hapur e ligjit tregon jo vetëm mungesë respekti ndaj ligjit, por qartësisht mungesë të theksuar të integritetit moral e profesional, kushte këto të domosdoshme për të kaluar me sukses Vettingun”.
I tillë ishte edhe sinjalizimi nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, thekson Alibeaj, të cilët gjatë seanës dëgjimore.
“Ngritën edhe shqetësimin se Arta Marku gjatë ushtrimit të detyrës si prokurore, ka kërkuar mbajtjen në burg të qytetarëve, jashtë kritereve që parashikon ligji. Ne kemi publikuar dokumenta tronditës, sesi Arta Marku, në cilësinë e Prokurorit në Shkodër, harroi në burg një qytetar për 2 muaj e 13 ditë, duke i hequr në këtë mënyrë lirinë, në mënyrë të paligjshme dhe të padrejtë”.
Do të mjaftonin këto raste, theksojnë demokratët, që Arta Marku të shkarkohej nga organet e Vettingut, duke shprehur mosbesimin e zbatimit të ligjit edhe në këtë rast, sa kohë ky proces, sipas tyre, diktohet nga Edi Rama në funksion të shantazhimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe shpërblimit të shërbëtorëve të tyre./abcnews.al