“Aleksi festonte golat te konvikti i vajzave, Luftëtari kishte harmoni”

schedule19:40 - 23 Prill, 2020

schedule 19:40 - 23 Prill, 2020

Dejvi Bregu, Kristal Abazaj dhe Eduart Rroca formuan një treshe spektakolare në sulmin e Luftëtarit dhe ja dolën të dërgonin bluzinjtë nga Gjirokastra në Europa League në sezonin 2017/2018. Sot luajnë në skuadra të tjera, Bregu është pjesë e Skënderbeut, ndërsa dy lojtarët e tjerë mbrojnë ngjyrat e Kukësit.

Të tre kanë kujtuar periudhën e bukur në qytetin e gurtë në një lidhje direkte me emisionin “Fan Zone” në Supersport. Batutat nuk mungojnë, teksa vlerësojnë harmoninë që kishte ai Luftëtar.

ABAZAJ – “Po përpiqemi të mbajmë trupin në formë, duke bërë stërvitje në kushtet që jemi. Harmonia te Luftëtari ka qenë shumë e mirë. Vlerësimi ishte për të gjithë si ekip dhe jo si individë. Ofertë nga Partizani? Unë jam lojtar i Kukësit dhe dua të jap maksimumin këtu, nuk e mendoj diçka të tillë. Sa i takon të ardhmes, do zgjedh ku të jetë më e përshtatshme. Dëshira e vetme është të dalim nga karantina dhe të shohim pastaj”.

RROCA – ”Jemi stërvitur pak në shtëpi dhe kemi bërë vrap. Mundohemi që ta ruajmë formën për të mos e nisur nga zero. Te Luftëtari na ndihmonte brenda fushës harmonizmi që kishim. Ishin lojtarë shumë të mirë dhe i mbajmë kontaktet.

Kur ne festonim golat shkonim te tifozët, ndërsa Albano Aleksi shkonte festonte te konvikti i vajzave (qesh). Ka pasur raste kur na vonoheshin rrogat. Nuk e menaxhuam si duhet vendin e parë dhe na iku nga duart. Na dëmtoi shumë, por kemi kohë të rikuperojmë. E ardhmja? Çdo lojtar dëshiron të luajë jashtë, ja uroj të gjithëve ta realizojmë këtë”.

BREGU – “Kemi bërë stërvitje në kushtet e shtëpisë dhe më pas kemi dalë edhe jashtë. Te Luftëtari kishim një harmoni të madhe mes të gjithë lojtarëve. Përveçse ishim shokë ekipi, ishim të tillë edhe në jetën e përditshme. Qëllimi im është që të punoj çdo ditë për Skënderbeun dhe çfarë të jetë e shkruar do ndodhë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!