Alec Baldwin ka folur sërish për ngjarjen fatale në xhirimet e filmit Rust pak muaj më parë, ku për pasojë mbeti e vrarë drejtoresha e fotografisë, Halina Hutchins ndërsa u plagos regjisori Joel Souza. Ngjarja e ndodhur më 21 Tetor, është ende në fazën e hetimeve policore, ndërsa vijojnë dhe pyetjet torturuese se kush është përgjegjës për atë që ka ndodhur.
“Ajo që ndodhi atë ditë që çoi në ngjarjen tragjike përmblidhet në idenë se unë dhe Halina kemi diçka të përbashkët që të dy besuam se arma ishte bosh”, tha aktori 63-vjeçar. Duke folur për viktimën, Baldwin nuk duroi dot dhe shpërtheu në lot.“Të gjithë thonë se ajo ishte fantastike. Bashkëpunëtorët e saj e donin dhe e vlerësonin atë”.
Më pas, ai tregoi se si reagoi bashkëshorti i saj kur e takoi. “Kur ndodhi kjo, burri i saj, Matthew erdhi dhe takova djalin e saj 9-vjeçar. Ai ishte shumë i sjellshëm. Ai më përqafoi dhe më tha se do ta kalonim këtë së bashku. Mendoj se ky fëmijë nuk ka më nënë….dhe se nuk mund të bëjmë asgjë për ta rikthyer atë.”
Në një tjetër intervistë, ai tha: “Dua ta jetoj jetën time në paqe dhe njerëzit më quajnë vrasës. Ish-presidenti i SHBA-së tha se e vrava me qëllim”. /abcnews.al