Aleatët opozitar: Ja emrat e qeverisë tranzitore me “veteranët” e PS/ PD

schedule12:20 - 15 Maj, 2019

schedule 12:20 - 15 Maj, 2019

Qeveri tranzitore me emra të cilët kanë integritet moral e politik, e zgjedhje të parakohshme brenda 6 muajve. Janë këto propozimet e aleatëve të Partisë Demokratike gjatë takimeve që kanë nisur të zhvillojnë e strukturat nëpër Shqipëri. Nga Fieri grupimi i qendrës së djathtë përsërisin se zgjedhje pa opozitën në 30 qershor nuk do të ketë.

 

Nuk tërhiqen opozitarët nga vendimi për zgjedhje të parakohshme. Pas Tiranës dhe Durrësit, “Forumi për zgjedhje të lira”, i organizuar nga “Grupimi i Qendrës së Djathtë”, është ndalur në qytetin e Fierit.

Kryerepublikani Fatmir Mediu rendit emrat e mundshëm që janë garanci për qeverinë tranzitore sipas tij.

“Po e filloj nga Rexhep Meidani, Ylli Bufi, Arben Malaj, Arta Dade, Et’hem Ruka, Ndre Legisi, po e vazhdoj me të djathtët, Besnik Mustafaj, Rexhep Uka, Maksim Cikuli, Myqerem Tafaj, Anila Godo, dhe intelektualë e akademikë të këtij vendi që e duan vendin e tyre, të cilët mund të jenë pjesë, të një qeverisje tranzitore dhe për 6 muaj, ne të shpëtojmë nga e keqja, të vendosim vetë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, theksoi Mediu.

Në bashkëbisedimin me strukturat dhe simpatizantët e partive që drejtojnë aleatët historikë të Partisë Demokratike, kanë sqaruar arsyet pse kanë ndërmarrë këtë nismë dhe, gjithashtu, kanë njohur mbështetësit e tyre me “Platformën për marrëveshje kushtetuese” me 12 pika të prezantuar pak kohë më parë.

Mjerimi në vendin tonë ka një emër, ai është Edi Rama. Shqipëria nuk e meriton Edi Ramën në krye të administrimit të punëve të veta”, tha Vangjel Dule.

Ne do ti dërgojmë Edi Ramës se në aventturën e tij për të realizuar zgjedhje në 30 qershor do të jetë i dështuar, zgjedhje pa opozitën legjitime në Shqipëri nuk do të ketë”, tha Ndoka

Grupet e interesit të kësaj qeverie nuk janë biznesmenët e ndershëm, nuk janë qytetarët shqiptarë por janë ata që i sollën në pushtet”, tha Duka

Ky po shkel përditë të drejtat e qytetarëve, po merr institucionet një nga një. Ç’mendoni se mund të bëj një popull i vogël, i varfër pa ndonjë traditë demokratike? Edi Rama duhet të iki sepse ju ka futur dorën në xhep”, tha Shehi.

Duke komentuar dy protestat e fundit kombëtare, të zhvilluara nga opozita e bashkuar, ata i kanë bërë apel qytetarëve për vijimin e qëndresës ndaj mazhorancës./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!