Aleatët e vjetër e të rinj të Turqisë/Kriza politike e jashtme me Kosovën

schedule14:22 - 2 Prill, 2018

schedule 14:22 - 2 Prill, 2018

Gazeta Hurriyet në një opinion shkruan se tashmë Turqia nuk ka marrëdhënie të mira me Kosovën për shkak të operacionit të fundit për ekstradimin e gylenistëve. Ndërsa nënvizon se me Serbinë raportet janë të shkëlqyera.

Media e njohur në Turqi, Hurriyet, ka publikuar një analizë lidhur me përfaqësimin diplomatik të Ankarasë jashtë vendit dhe natyrisht krizën politike të kohëve të fundit me Kosovën. Duke vënë në dukje përplasjet me vende perëndimore sa i përket ofensivës në Siri, e përditshmja nënvizon se këto tensione kanë lënë në hije problemin e rëndë me Prishtinën. Hurriyet shkruan se përplasjet nisën pas ekstradimit në mënyrë shumë misterioze nga Kosova të 6 shtetasve turq që akuzon se mbështesin imamin Fetullah Gylen, që konsiderohet nga presidenti Erdogan drejtues I një organizate terroriste.

Për këtë kryeministri Ramush Haradinaj shkarkoi ministrin e brendshëm dhe shefin e inteligjencës. Gjithashtu ai akuzoi Ankaranë se nuk e ka informuar lidhur me operacionin. “Përveç problemeve për ligjshmërinë e një misioni të tillë, incidenti është një çështje tjetër që ekspozon problemet e shumta të politikës së jashtëme të Turqisë”, nënvizon gazeta.

Gjithashtu përmend faktin se Turqia ishte ndër vendet e para pas Amerikës që njohu pavarësinë e Kosovës. Dhe kjo, sipas Hurriyet, shkaktoi një përplasje të madhe me Rusinë, shtet i cili kundërshton statusin e Kosovës dhe mbështet Serbinë. “Tani duket se qeveria kosovare nuk është aq afër sa ishte më përpara me Turqinë, pasi ata po ankohen për operacionin secret të fundit”, shkruhet në komentin e Hurriyet që thekson se tashmë Ankaraja ka mardhënie shumë të mira me Beogradin.

Ndërkohë, në fund e përditshmja turke, paralajmëron autoritetet duke thënë se misionet secrete të jashtëme të shërbimit të inteligjencës mund të çojnë vendin drejt problemeve serioze. /abcnews.al