Aleatët e Partisë Demokratike, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e Dashamir Shehit dhe ajo Republikane e Fatmir Mediut duket se mbështesin kryetarin e PD-së, Lulzim Bashën, sa i përket mënyrës së opozitarizmit, që Shqipëria do të shohë në janar të 2018-s. Mes bojkotit të Parlamentit apo bllokimit të tij, një djegie mandatesh duket vetëm si fundi i një opozitarizmi të gjatë, sipas aleatëve të PD.
Tre skenarë artikuloi kreu i demokratëve Lulzim Basha mbi formën, të cilën opozita do të zgjedhë në Janar për kundërshtinë e fortë që i bën asaj që quan shkelje të Kushtetutës. Aleati Republikan, Fatmir Mediu, rëndësinë e aksionit nuk e sheh tek forma, më tepër se tek qëllimi final i kësaj opozite.
Fatmir Mediu: “Pas seancës së fundit që ishte një seancë antikushtetuese, në flagrancë me Kushtetutën dhe me interesat e shqiptarëve, pati një diskutim të gjithë deputetëve të opozitës, pa përjashtim edhe të LSI edhe të PD e aleatëve të koalicionit me PD-në. A do të ketë bojkot të përkohshëm, a do të ketë bojkot permanent, a do të ketë djegie mandatesh mendoj që gjithësecila nga kjo fiton vlerë, nëse ne do të dimë të fitojmë një raport vlerash me qytetarët shqiptarë. Ajo që është e rëndësishme mendoj unë për opozitën, është që duhet të tentojë maksimalisht për ti dhënë vlerë Parlamentit sepse është foltorja e qytetarëve, ku opozita duhet të flasë me qytetarët për interest e qytetarëve për t’u treguar jo vetëm antikushtetueshëmërinë, problemet e kësaj qeverisjeje, por edhe të përgatisë nga ai podium, alternativën e vet për qeverisje.”
Aleat i Partisë Demokratike, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e Dashamir Shehit, skenarët nuk i sheh të mbivendosur, por të shtruar hap pas hapi.
Dashamir Shehi: “Unë gjykoj që zoti Basha në një farë mënyre i ka lënë të hapur të gjithë hipotezat edhe mirë ka bërë. Ka vepruar tamam si politikan sepse këto gjëra do t’i shikoni hap pas hapi. Është e kotë tani të themi tani para Vitit të Ri se çdo të ndodhë në Mars apo në Prill, ku ndërkohë ne presim zhvillime dhe zhvillimi i parë fillon me protestat, për të cilat kemi rënë të gjithë dakord e do kontribuojmë të gjithë që të jenë sa më masive, më të vendosura. Kështu që për këtë pikë sigurisht që do të jemi dakord. Protestat do të prodhojnë, do të shikohen deri ku shkojnë energjia e protestës, sa njerëz do t’i përgjigjen kësaj pune dhe kjo pastaj na mëson për hapin tjetër.”
Ky hap tjetër për Dashamir Shehin është institucional dhe kushti i demokratëve për një marrëdhënie me parlamentin është pikërisht sjellja në binarët kushtetues të jetës parlamentare.
Dashamir Shehi: “Emergjente për ne, për komunitetin ndërkombëtar, për Brukselin, i cili pret shenja për integrim është që në mënyrë të ligjshme të zgjidhet dhe Kryeprokurori i ri dhe unë besoj që nuk kanë pse presin më. Them që kjo është faza e dytë. Një marrëdhënie e kondiconuar me Parlamentin se nëqoftëse ky Parlament pasi bëri gjithë këtë tallje të madhe, s’merr fare parasysh se çfarë i ndodh Kushtetutës së Shqipërisë, atëherë kjo është një çështje që nuk ka më vlera.”
Kjo do të kërkonte një ndryshim në ligj, të cilin demokratët e kanë shtruar edhe më parë si opsion, por kjo do të kërkonte dicka që sot, sipas Dashamir Shehit, është thyer.
Dashamir Shehi: “Këtu ka një thyerje të logjikës së Kushtetutës dhe ligjit. Përtej debateve që kemi patur majtas e djathtas, kjo mazhorancë, fatkeqësisht e mbështet dhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar, ka thyer logjikën e rrjedhës së gjërave. Kjo logjika ishte unike, në kuptimin që ne do e bënim me konsensus kur ngelim diku e bejme ne veç e veç se kemi shumicë. Në këtë lloj logjike ka rënë kushtetuta si princip. Këta kanë shumicën dhe për gjëra të tjera”.
Lidhur me këtë, Fatmir Mediu i kthen sytë nga vetë opozita, sa i përket ndërgjegjësimit dhe komunikimit përtej kufijve.
Fatmir Mediu: “Është e rëndësishme që ne me ndërkombëtarët të flasim post factum. Nëse kemi shqetësime të tilla duhet të jemi aktiv në Tiranë edhe tej Tiranës për t’i bërë të qartë se qëllimet tona nuk kanë të bëjnë me interes specifik opozitar, por kanë të bëjnë me interesin e të gjithë shqiptarëve, për një reformë në drejtësi të qenësishme dhe për një mënyrë të padiskutueshme respekt të Kushtetutës sepse ajo përcakton në fund të fundit ndarjen ndërmjet një pushteti politik dhe të drejtave të qytetarëve dhe interesave të qytetarëve. Në këtë pikëpamje mendoj se ka shumë për të bërë dhe opozita duhet të reflektojë në raport me veten.”
Një ushtari të mirë i duhen të gjitha armët, ndaj kush nxiton për djegie mandatesh harron dy skenarë që vijnë prej saj, thotë Dashamir Shehi.
Dashamir Shehi: “Ditën që dorëzohen mandatet, fatkeqësisht nuk ka më alternativë, ka vetëm dy , prandaj këta që gërthasin për mandatet duhet t’i mendojnë këto të dyja dhe a janë gati për këto të dyja? Një, janë zgjedhjet edhe kjo do ishte logjika normale në një shtet demokratik, mirëpo unë këtu gjykoj që edhe po të dorëzosh mandatet, një grusht aventurierësh që e qeverisin sot Shqipërinë, do të vazhdojnë të qeverisin edhe pa opozitën. Alternativa tjetër është gjendje permanente e rrugës, e demonstratës, e protestës.”
Partia Demokratike dhe aleatët e saj pas protestës së organizuar jashtë sallës parlamentare këmbëngulin në antikushtetutshmërinë e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, arsye thelbësore për të cilën në javët e para të Janarit kanë planifikuar një valë protestash popullore./abcnews.al