Aleatët e Bashës kërkesë në KQZ: Na regjistroni në zgjedhje për 13 Tetorin

schedule13:27 - 2 Gusht, 2019

schedule 13:27 - 2 Gusht, 2019

Apeli i fundit i Ilir Metës për t’u regjistruar në zgjedhje, ka dhënë efektet e para.

Në një takim informal në mbrëmje, Lulzim Basha thirri aleatët për të përcaktuar qëndrimin që do të mbajnë për zgjedhjet e 13 tetorit, për të cilat, edhe pse ka dekret presidencial nuk njihen nga mazhoranca dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. I bindur se pas 30 qershorit drejton një forcë politike që me zgjedhje të rregullta do të jetë qeverisëse, Basha kërkon që hapin e radhës në respekt të kushtetutës, ta hedhë Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

“Shteti dhe partia janë dy gjëra të ndryshme. Ka një ndryshim rrënjësor midis të drejtës kushtetuese dhe të drejtës partiake. I vetmi akt me fuqi kushtetuese në lidhje me zgjedhjet është dekreti i Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor. Është detyrim i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm i KQZ-së dhe institucioneve të tjera shtetërore të përgatisin infrastrukturën për këto zgjedhje. Partitë politike, pastaj, kanë të drejtën e tyre të marrin apo jo pjesë në këto zgjedhje”.

Të bindur se Edi Rama mundet vetëm me zgjedhje, Fatmir Mediu i Partisë, Agron Duka i Partisë Agrare Ambientaliste dhe Endrit Braimllari nga LSI firmosën të parët shkresën për t’i kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të nisë punën për zgjedhjet e 13 tetorit.

 “KQZ në bazë të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë dhe veçanërisht neneve 2, 10  dhe 21 e vijues të tij ka detyrimin ligjor që pas dekretimit të datës së zgjedhjeve të fillojë përgatitjet për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, kërkojmë nga ana juaj marrjen  pa vonesë  të të  gjitha masave përkatëse për të organizuar procesin zgjedhor të datës 13.10.2019, sipas Dekretit të Presidentit në fuqi”.

Përgjigja nuk vonoi. Klement Zguri në cilësinë e kryetarit të KQZ-së thirri një mbledhje paraditen e së shtunës në orën 10:00.  Maxhoranca është kategorike kur bëhet fjalë për zgjedhje të reja vendore në 13 tetor dhe do të mungojë në tryezë ndërkohë që pozicionin e saj për këto zgjedhje e e ka bërë të qartë për ABC NEËS përfaqsuesi i PS, Bledar Skënderi në tryezën e KQZ-së.

Në krye të letrës së aleatëve të PD, mungonte firma e Lulzim Bashës. Në 48 orët e ardhshme deri në fund të skadimit të afatit ligjor për t’u regjisturar në zgjedhje, kryedemokratit do t’i duhet të vendos mes deklaratave për të mos hyrë në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër dhe bindjes së aleatëve se Edi Rama largohet nga karrigia e tij vetëm me zgjedhje.

./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!