Aleanca për teatrin ka njoftuar ditën e sotme se do të mbajë protestë përpara Bashkisë së Tiranës.
Protesta e thirrur nga aleanca ka ardhur si shkak i mosinformimit të procedurave të tenderit për ndërtimin e teatrit që sipas aleancës është shkelje e rëndë ligjore.
Aleanca për mbrojtjen e teatrit ka kërkuar informacion për projektin e miratuar nga Bashkia e Tiranës. Sipas Aleancës ata po protestojnë për të denoncuar mungesën e transparencës në lidhje me këtë tender si minimumi i detyrimit ligjor që ka Bashkia.
“Konkursi për tenderin e teatrit nuk është publikuar në faqen zyrtare të bashkisë, nuk është publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik. Ligji parashikon qartë që tenderët duhet të jenë publikë duke paraqitur edhe ofertuesit dhe fituesit. Në këtë moment nuk kemi asnjë informacion se cila ka qenë procedura për zbatim të VKM 322″, ka theksuar Ardiana Kalaja.
Aktori Mehdi Malko i cili ishte i pranishëm në këtë protestë tha:
“Në fakt unë jam si macja përballë pianos kur flitet për ligje. E kam thënë dhe e them, teatri nxori bllof të gjithë arkitektët. Tërmeti e faktoi këtë, kryetari të ndërtojë diçka për ata që vuajnë nga pasojat e tërmetit sepse teatri është aty në këmbë. Çetë partizane, balliste, zogiste, çfarë çete jemi ne? Jemi të armatosur apo jo, lufta partizane me çeta filloi. Unë ndihem mirë që jam pjesë e kësaj çete”.
Ndërsa mjeshtria e artit Justina Aliaj tha:
“Kam një gjë që bërtet në shpirtin tim, Transparenca. Nuk e di pse mbahet kur një ditë do plasë. Në këto festa duhet të jemi më kompakt, më transparentë dhe të tregojnë se kush i ka fituar ato tenderë, nuk ka nevojë të klithim, ne duam tetarin. Nëse vijnë të thonë pse nuk janë transparentë do bëjnë një punë të mirë”.
Për Neritan Licaj teatri është pronë e gjithë shqiptarëve dhe për këtë arsye kryetari i Bashkisë duhet të bëjë transparencë:
“Teatri është pronë e bashkisë dhe e gjithë kombit. Tirana është e gjithë shqiptarëve. Zotëria kryetari i bashkisë duhet të bëj transparente tenderin sepse sot erdhëm si çetë por e sigurojë që herë të tjera do vijnë regjimente”.
Ditën e sotme me anë të një komunikate Aleanca për mbrojtjen e Teatrit njoftoi se do të protestonte përpara Bashkisë së Tiranës:
“Komunikatë
Ushtrojmë të Drejtën tonë për t’u informuar
Të dashur aktivistë, miq e mbështetës, ka kaluar 1 muaj e gjysëm që prej skadimit të afateve për shpalljen zyrtare të fituesit të konkursit për ndërtimin e projektit famëkeq e korruptiv Fusha.
Gjatë kësaj kohe, Bashkisë Tiranë, i janë drejtuar disa kërkesa për informacion, kemi dërguar ne, kanë dërguar gazetarë me kërkesa të personalizuara dhe kërkesa me logo mediatike. Asnjë përgjigje, injorim total, çensurë, terr informativ. Institucioni që menaxhon 120 milion euro, është mbyllur në bunker, ka marrë peng funksione zyrtare, informacionin publik, asgjë nuk kalon nëpër protokolle, asnjë nuk guxon të flasë, gjendje lufte.
Ndërkohë, kryetari i bashkisë u bën karshillëk qytetarëve të të gjithë Republikës, duke u thënë publikisht, në televizor, që informacionin e kam vetëm unë, po nuk dua t’jua them.
Situata është kaq serioze sa një artikull i gazetares Fatmira Nikollit tek Gazeta Shqiptare, ku publikohej përgjigja zyrtare e zyrës së informacionit të bashkisë, në të cilën nuk kishte asnjë informacion të vlefshëm për procedurat mbi projektin, u çensurua, u hoq, është zhdukur nga qarkullimi.
Në këtë situatë, ne kemi vendosur ta marrim informacionin vetë, fizikisht, te dera e institucionit. Fshehja, terrori në institucion për të mos lejuar asnjë pëshpërime, apo të qarkullojë publikisht informacion për aferën megakorruptive të Teatrit, është vetëm një nga shkeljet e rënda të një dosjeje kriminale plot me paudhësi, që ne kemi vendosur ta depozitojmë te SPAK, me besimin se një ditë, dikush do të mbajë përgjegjësi për vepra penale në dëm të interesit publik.
Ne ju ftojmë nesër, e Hënë, 30 Dhjetor në ora 10.00, të mblidhemi dhe ta ushtrojmë këtë të drejtë. Është një e drejtë legjitime që nuk lejojmë të na shkelet.
Mblidhemi te dera e Bashkisë të marrim atë që na takon. U bëjmë thirrje mediave që të jenë të pranishëm, pasqyrimi i këtij aksioni u shërben dhe atyre dhe qarkullimit të informacionit të lirë”, ka njoftuar Aleanca./abcnews.al