Një shqiptar nga Finlanda shpreson të jetë e ardhmja e sulmit në kombëtaren shqiptare. Albion Ademi u thirr nga trajneri Panuçi, ndërsa deklaron se realizoi ëndrrën e fëmijërisë.
Në 13 Nëntor të këtij viti, mes lojtarëve të kombëtares ishte edhe një i sapothirrur. Quhej Albion Ademi, vetëm 19-vjeçar, dhe ishte zbulimi më i fundit i trajnerit Kristian Panuçi, e i gjahtarëve të talenteve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Sulmuesi që luan në Finlandë për Inter Turkun, nuk u aktivizua asnjë minutë ndaj Skocisë apo Uellsit, por nuk mbeti aspak i zhgënjyer. Mediat finlandeze e pyetën menjëherë pas kthimit, për emocionet që provoi në Shqipëri, dhe 19-vjeçari pati vetëm fjalë pozitive.
“Nuk pata mundësi të luaj, – tha ai, – por në stërvitje gjithçka shkoi mirë. Trajneri më pëlqeu. Më thanë se Panuçi më donte në ekip dhe ftesa ishte e vështirë për t’u hedhur poshtë. Kam parë çdo ndeshje të kombëtares dhe kam qenë tifoz i saj. Ishte një dëshirë e madhe, bëra atë që më deshi zemra”.
Ademi lindi pikërisht në Turku të Finlandës dhe aty nisi karrierën si futbollist. U dallua që në moshën 16-vjeçare, duke luajtur për disa skuadra, por duke qenë gjithnjë lojtar i ekipit të qytetit të tij të lindjes, Inter Turku. Pasi luajti për Finlandën U17 dhe U19, u bashkua me Shqipërinë U21, por vetëm pas një ndeshjeje, u thirr nga Panuçi. Ademi është i bindur se do të ketë rast ta tregojë veten në kombëtare, në të ardhmen./abcnews.al