Albgaz/Snam marrëveshje me TAP për mirëmbajtjen e gazsjellësit

schedule16:30 - 14 Nëntor, 2018

schedule 16:30 - 14 Nëntor, 2018

Është finalizuar negocimi për Marrëveshjen e Mirëmbajtjes midis TAP-it dhe shoqërisë së përbashkët të krijuar nga Albgaz e Snam. Qëllimi i kësaj marrëveshje është të ofrojë shërbimin e mirëmbajtjes për Gazsjellësin Trans Adriatik në territorin e Shqipërisë.

Për herë të parë një kompani shqiptare nënshkruan një kontratë mirëmbajtje për një projekt të madh sic është gazsjellësi TAP. Por nuk do të jenë të vetëm pasi do të kenë asistencën e italianëve.

“Do ta quaja një gur kilometrik në suksesin e këtij projekti kaq kompleks si gazsjellësi TAP. Për herë të parë, një kompani shqiptare si Albgaz, me ndihmën e asaj italiane SNAM do mund të marrë përsipër kryerjen e një shërbimi për një projekt kaq të madh e të rëndëssihëm si gazsjellësi TAP. Krijohet një vlerë e shtuar jo vetëm nga pikëpamja ekonomike por mbi të gjitha nga ajo që Shqipëria ka nevojë, mbajtjen e njerëzve të kualifikuar brenda vendit”.

Sipas ministrit të infrastrukturës dhe energjisë Damian Gjiknuri suksesi i projektit të gazsjellësit TAP do të bëjë të mundur shumë shpejt edhe gazifikimin e Shqipërisë por edhe ndërlidhjen me projektin tjetër të gazsjellësit Jonian-Adriatik (IAP).

“Po ka provë të vërtetë sesi funksionon administrata shqiptare karshi investimeve të mëdha TAP-i është shembulli i vërtetë. Shqipëria doli vendi më i suksesshëm që ky projekt të implementohej në kohë. Kjo realisht është një dekoratë krenarie që ne e themi kudo sepse bëmë këtë të mundur karshi shumë dyshimeve që kishin të tjerët në momentet kur filloi ky projekt”.

Drejtuesi i shoqërisë shtetërore shqiptare të gazit Albgaz dha detaje për marrëveshjen e nënshkruar.

“Marrëveshja e Mirëmbajtes, e para e këtij lloji në Shqipëri, nënshkruhet midis TAP dhe Albania Gas Services Company për një periudhë fillestare 7 vjet, me një staf fillestar prej 52 të punësuarish, 90% të të cilëve të rinj shqiptare. Ata do të trajnohen dhe do të certifikohen nga SNAM, në Itali dhe në Shqipëri, në 6-mujorin e parë të 2019. Albania Gas Services Company do të ketë ‘degët’ e saj në të paktën katër qytete të vendit: Korçë, Çorovodë, Berat dhe Fier. Ajo do të ndërtojë qëndrat e veta të mirëmbajtjes, të projektuara sipas standarteve të SNAM”.

Marrëveshja mes TAP dhe konsorciumit të krijuar nga kompania shqiptare Albgaz dhe ajo italiane SNAM është për një periudhë fillestare 7 vjet e shoqëruar edhe me një plan biznesi. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!