Albert Veliu azil në Kosovë, autoritetet shqiptare nuk kanë marrë asnjë shkresë

schedule15:27 - 31 Maj, 2018

schedule 15:27 - 31 Maj, 2018

Autoritetet kosovare nuk kanë paraqitur ende asnjë kërkesë apo dokument për të vënë në dijeni homologët shqiptarë, mbi kërkesën e shtetasit Albert Veliu për të marrë azil në Kosovë. 51-vjeçari u ndalua disa ditë më parë bashkë me djalin e tij dhe kërkoi të mos të kthehet në Shqipëri pasi i rrezikohet jeta.

Autoritetet Shqiptare nuk kanë marrë asnjë kërkesë nga homologët e tyre në Kosovë për procedurat e azilit të kërkuara nga Albert Veliu, i njohur ndryshe si “Dëshmitari X” .

ABC News u interesua pranë Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë së Përgjithshme dhe në Ministrinë e Drejtësisë, ku pohojnë se organet ligjzbatuese të Kosovës deri tani nuk kanë paraqitur asnjë kërkesë në vendin tonë Albert Veliun.

51-vjeçari u ndalua bashkë me të birin pak ditë më parë nga autoritetet policore në Kosovë, nën dyshimet se kishte hyrë ilegalisht në territorin e saj. Ministria e Brendshme e Kosovës konfirmon se, Veliu ka kërkuar azil me motivin se në Shqipëri i kërcënohet jeta.

Prokuroria e Krimeve të Rënda edhe më herët, ishte shprehur se ndaj Veliut nuk ka urdhër-ndalimi lidhur me procedimin penal të nisur nga organi i akuzës për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”. Për  këtë çështje, Albert Veliu është pyetur në prokurori dhe më pas është lënë i lirë.

Për kërkesën për azil, të bërë nga shtetasi Albert Veliu, autoritetet e Kosovës kanë pohuar se do të konsultohen edhe me homologët e tyre shqiptarë. Veliu, një ish-i dënuar për trafik droge, pranoi publikisht se zëri në audiopërgjimin e bërë publik nga Partia Demokratike ishte i tij./abcnews.al