Armëmbajtja pa leje vijon të jetë një plagë serioze për shoqërinë shqiptare. Shifrat e policisë tregojnë se vetëm gjatë vitit 2024 janë evidentuar 1.315 vepra penale në këtë fushë, me 1.520 autorë.
Nga këta, 701 persona u arrestuan, 741 u proceduan në gjendje të lirë, ndërsa 78 të tjerë janë ende në kërkim. Bilanci i sekuestrimeve është po aq shqetësues 644 armë zjarri dhe mijëra municione luftarake janë hequr nga qarkullimi.
E njëjta situatë alarmante shihet edhe në 8-mujorin e parë të këtij viti. Janë regjistruar 1.084 vepra penale me 1.253 autorë. Policia ka vënë në pranga 565 persona, 623 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, ndërsa 65 mbeten në kërkim.
Në këtë periudhë janë sekuestruar gjithsej 444 armë zjarri, bashkë me sasi të mëdha municionesh.
Autoritetet thonë se fenomeni mbetet një rrezik i madh për sigurinë publike, ndërsa lufta kundër armëmbajtjes pa leje do të vijojë me intensitet./abcnews.al

