Alarmi në rrjetet sociale, policia i gjen murgut pistoletën lodër çakmak në një manastir në Dhërmi

schedule20:55 - 19 Tetor, 2021

schedule 20:55 - 19 Tetor, 2021

Një alarm në rrjetet sociale ka vënë në lëvizje policinë e cila ka shkuar për kontroll në Manastirin “Burimi Jetëdhënës”, në Dhërmi, kjo pasi pretendohej se brenda tij kishte persona të armatosur. Gjatë kontrollit, në dhomën e murgut K. M, shërbimet e Policisë gjetën një pistoletë lodër çakmak.

“Sqarim/Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku pretendohet se në Manastirin “Burimi Jetëdhënës”, në Dhërmi, qëndrojnë persona të cilët posedojnë armë zjarri, ju sqarojmë se:

Duke vlerësuar videon e publikuar në rrjetet sociale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë menjëherë shkuan në këtë manastir, për të verifikuar informacionin. Gjatë kontrollit në njërin prej ambienteve të këtij manastiri, konkretisht në dhomën e murgut, shtetasit K. M, shërbimet e Policisë gjetën një pistoletë lodër çakmak.

Në vijim të kontrollit të ambienteve të tjera të manastirit nuk u konstatuan sende të jashtëligjshme apo persona të tjerë.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon qytetarët dhe i fton që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm”, njofton policia. mv/Abcnews.al