Policia austriake është vënë në gatishmëri pas alarmit për sulm me bombë, duke urdhëruar menjëherë evakuimin e shkollave. Policia në kryeqytetin austriak theksoi se po i merr seriozisht kërcënimet nga njerëzit që pretendojnë se luftojnë në emër të ISIS.
Mijëra nxënës nga shtatë shkolla në Vjenë u evakuuan së bashku me stafin. Gazeta austriake Heute mori një kopje të e-mailit të dërguar nga një llogari anonime të martën mbrëma në shkolla.
“Ne po luftojmë për Shtetin Islamik”, thuhet në të, duke vënë në dukje se midis 7 dhe 11 nëntorit “ne do të vazhdojmë likuidojmë shkollat e Vjenës” dhe përfundon: “Do të vdisni të pafe”.
Policia ende nuk e ka konfirmuar vërtetësinë e emailit apo kërcënimit.
Zjarrfikësit dhe oficerët e policisë me qen të trajnuar posaçërisht po kryejnë kontrolle, por deri më tani nuk kanë gjetur eksploziv apo bomba.
/abcnews.al