Autoritetet peruane po përgatiten të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme në zonën përreth Ubinas, në rajonin Moquegua, tha të hënën kryeministri Alberto Otarola, ndërsa krateri i vullkanit më aktiv të vendit ka filluar të nxjerrë hi prej ditësh.
Instituti Kombëtar i Mbrojtjes Civile (INDECI) tha në një deklaratë për shtyp se niveli i alarmit në zonë është rritur në “portokalli”, nga “e verdhë” , pasi hiri ka arritur një lartësi prej 1700 metrash nga krateri.
Në Perunë jugore, ku ndodhen miniera të rëndësishme, ka më shumë se dhjetë vullkane aktive. Vendi i Amerikës Latine ndodhet gjithashtu në të ashtuquajturën “unaza e zjarrit” e Oqeanit Paqësor, ku ka një aktivitet intensiv sizmik dhe vullkanik.
Kryeministri Otarola u tha gazetarëve se gjendja e ashtëzakonshme do të shpallej në ditët në vijim në mënyrë që të mund të merren “masat e nevojshme paraprake” për të mbrojtur banorët e zonës.
Mbrojtja Civile këshilloi rreth 2000 banorë që të qëndrojnë larg vullkanit dhe të mbyllin dritaret dhe dyert e shtëpive. Sipas autoriteteve lokale, popullatës iu shpërndanë maska dhe syze mbrojtëse.
Në vitin 2019, autoritetet peruane evakuuan qindra banorë nga zonat afër Ubinas pas shpërthimeve vullkanike dhe emetimeve të hirit.
/abcnews.al