Apartamente, siperfaqe toke, si edhe makina te ndryshme, jane pasurite e sekuestruara ndaj nje 50 vjecari, I akuzuar nga drejtësia belge për trafik droge e pastrim parash. Janë 18 në total pasuritë e sekuestruara ndaj Eridan Guerrerros, në Vlorë, Durrës e Tiranë.
“Në kuadër të operacionit “Filtri”, u sekuestruan 18 pasuri të paluajtshme (apartamente, sipërfaqe toke, njësi shërbimi, garazh dhe depo), të ndodhura kryesisht në lagjen “Uji i ftohtë”, Vlorë dhe në Durrës, si dhe 4 automjete të tipeve të ndryshme, të cilat dyshohet se janë përfituar nga shtetasi E. G. dhe nga familjarët e tij, për shkak të veprimtarive kriminale të 50-vjeçarit.”- thuhet në njoftimin e policisë.
Njoftimi i plotë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Filtri”, i zhvilluar si rezultat i punës së mirëkoordinuar informative dhe operacionale, nga Njësia “E” për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Hetimore qendrore, homologët belg dhe dvpt-të Vlorë, Durrës dhe Tiranë.
Sekuestrohen 22 pasuri (të paluajshme dhe automjete) në pronësi të një 50-vjeçari aktualisht të akuzuar nga autoritetet belge, si pjesëtar i një organizate kriminale për trafikim droge, si dhe të familjarëve të tij.
Si rezultat i punës gjurmuese dhe hetimore, të kryer nga strukturat e Policisë në qendër dhe në qarqe, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me homologët, me fokus zbulimin dhe sekuestrimin e pasurive të ndryshme që shtetas me precedentë penal, mund t’i kenë siguruar përmes aktiviteteve kriminale, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Filtri”.
Në kuadër të procedimit pasuror që shërbeu për finalizimin e këtij operacioni, si dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u sekuestruan 22 pasuri (të paluajshme dhe automjete), në pronësi të shtetasit E. G., 50 vjeç, lindur në Vlorë, dhe të familjarëve të tij. 50-vjeçari aktualisht ndodhet në dhomat e paraburgimit në Bruksel, Belgjikë, i akuzuar për veprat penale “Trafikimi ndërkombëtar i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të vepës penale apo veprimtarisë kriminale”, të kryera në formën e organizatës kriminale.
Në kuadër të operacionit “Filtri”, u sekuestruan 18 pasuri të paluajtshme (apartamente, sipërfaqe toke, njësi shërbimi, garazh dhe depo), të ndodhura kryesisht në lagjen “Uji i ftohtë”, Vlorë dhe në Durrës, si dhe 4 automjete të tipeve të ndryshme, të cilat dyshohet se janë përfituar nga shtetasi E. G. dhe nga familjarët e tij, për shkak të veprimtarive kriminale të 50-vjeçarit.
Vijojnë hetimet me qëllim zbulimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që mund të kenë si burim, veprimtaritë kriminale të shtetasit E. G.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për veprime të mëtejshme.