Akuzat për shpërdorim detyre, lirohen 3 zyrtarët e Ministrisë së Financave

schedule12:40 - 2 Shkurt, 2023

schedule 12:40 - 2 Shkurt, 2023

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka liruar nga qelia ish sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, ish vartësin e tij Flamur Hoxhaj si dhe përmbaruesin Alban Rulin. Togat e zeza kanë pranuar kërkesën e prokurores Arta Marku, e cila kërkoi masën e sigurisë arrest shtëpie.

Ata akuzohen se i shkaktuan 1.2 milion euro buxhetit të shtetit duke ia kaluar këto para në kundërshtim me ligjin shtetasit Ilir Thana për një pronë që në të vërtetë nuk ishte e tij. Nga hetimet e prokurorisë së Tiranës ka rezultuar se, përmbaruesi Alban Ruli ka bërë rivlerësim të dëmshpërblimit për një pronë në emër të Thanës edhe pse ky i fundit nuk rezultonte zotërues i një magazine me sipërfaqe 187 metra katror pasi ajo iu kthye ish-pronarit në vitin 1995.

Por sipas prokurorisë, në harkun kohor të tre muajve, duke nisur nga gushti i kaluar deri në tetor, Ministria e Financave në kundërshtim me ligjin, ka pranuar për të ekzekutuar titullin përmbarimor duke derdhur në llogari të Thanës dhe motrës së tij shumën prej 48 milionë lekë të reja, ndërsa pjesa tjetër prej rreth 980 milion lekësh të vjetra do të lëvrohej më vonë.

Ka qenë denoncimi i një banke të nivelit të dytë që ka vënë në lëvizje prokurorinë pasi Thana rezultonte debitor dhe për këtë shumat e parave nga Ministria e Financave kalonin në llogari të motrës së tij. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!