Avokati i Plarent Dervishajt ka hedhur poshtë të gjitha akuzat për klientin e tij lidhur me zbardhjen e vrasjeve të vitit 2005.
Në një deklaratë për mediat ai tha se Dervishaj nuk ka lidhje me ngjarjen. Dervishaj është shpallur në kërkim bashkë me Lulzim Berishën për ekzekutimin e Klodian Saliut dhe biznesmenit Vajdin Lamaj. Avokati i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se nuk i shërbejnë drejtësisë.
“Dervishaj nuk ka lidhje me dy ngjarjet e përmendura nga SPAK. Pas gjithë këtyre paçavureve fshihen interesa politike dhe nuk i shërbejnë drejtësisë për zbardhjen e së vërtetës”, tha ai.
15 vite nga ekzekutimi, SPAK akuzon Emiljano Shullazin dhe Viktor Ymerin për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj dhe mikut të tij, Artan Arsi në 27 shkurt të vitit 2005 me eksploziv në pallatin ku banonte në Tiranë.
SPAK publikoi njoftimi, në të cilin thuhet se hetimi për vrasjen e Lamajt dhe Arsit ishin pezulluar shumë vite më parë dhe janë rihapur në vitin 2020. Në 2 dhjetor, gjykata ka vendosur masë sigurie arrest me burg për shtetasit Lulzim Berisha, Plarent Dervishaj, Indrit Taulla dhe L. Reçi, të akuzuar për vrasjen e Lamajt dhe Arsit. Por dy të dyshuarit, Lulzim Berisha dhe Plarent Dervishaj nuk janë arrestuar, pasi rezultojnë në arrati.
LEXO EDHE: Dëshmitari i “penduar”: Një makinë policie mori minën që do eleminonte Vajdin Lamajn
“Për shtetasit L. Berisha dhe P. Dervishaj është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar dhe po punohet ngushtësisht me autoritetet e huaja për lokalizimin dhe kapjen e tyre,” thuhej në njoftim.
Luftar Reçi, bashkëpunëtori i drejtësisë ka bërë rrëfimin e tij, që çoi në zbardhjen e ngjarjes pas 15 vitesh. g.v/abcnews.al