Ish-presidenti amerikan, Donald Trump sapo ka mbërritur në Gjykatën e Lartë të Nju Jorkut në Manhatan. Ai përballet me akuzat për mashtrim civil që kërcënojnë perandorinë e tij të biznesit.
Trump, si dy djemtë e tij që dëshmuan javën e kaluar, ka të ngjarë të përballet me pyetje të mprehta në lidhje me praktikat e diskutueshme të kontabilitetit që një gjykatës i ka quajtur si mashtruese.
Prokurorët e shtetit të Nju Jorkut pretendojnë se këto metoda e lejuan atë të fitonte kushte të favorshme financimi për dhjetëra sipërmarrje të tij. Ndër të tjera ai akuzohet se ka “fryrë” vlerën e fushave të golfit, kullave të apartamenteve dhe pasurive të tjera për të siguruar financime të favorshme.
Trump ka mohuar akuzat.
Ndryshe nga katër çështjet penale me të cilat përballet kandidati kryesor republikan i vitit 2024, ky gjyq civil nuk e kërcënon atë me burgim ndërsa përgatitet të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Prokurorja e Përgjithshme Leticia James ngriti një padi kundër manjatit republikan në shtator 2022, duke e akuzuar atë, fëmijët e tij si dhe Organizatën Trump se kanë gënjyer për një dekadë për asetet e tyre në mënyrë që të sigurojnë kushte më të favorshme për kreditë bankare dhe sigurimet.
Sipas saj, Trump e rriti pasurinë e tij me 2.23 miliardë dollarë në pasqyrat financiare vjetore të ofruara për bankat dhe kompanitë e sigurimeve. Këto përfshijnë rezidencën e Trump në Mar-a-Lago, Florida, apartament nën çati në Trump Tower në Manhattan, ndërtesa të ndryshme zyrash dhe fusha golfi.
Trump ka mohuar keqbërjen dhe ka akuzuar vazhdimisht James dhe gjyqtarin Arthur Engoron për paragjykime politike.
Trump është nën një urdhër të kufizuar që e ndalon të flasë publikisht për stafin gjyqësor, por ai e ka shkelur atë dy herë dhe është gjobitur me 15,000 dollarë për kritikat ndaj një zyrtari të gjykatës që ai e ka akuzuar për paragjykim.