Donald Trump i ka dalë në krah ish-sekretarit të Shtëpisë së Bardhë që dha dorëheqjen pak ditë më parë. Në një dalje për mediat, Trump ka vlerësuar punën e bërë nga Rob Porter, ndërsa akuzat ndaj tij ia ka lënë drejtësisë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka mbështetur ish-këshilltarin e tij që dha dorëheqjen pak ditë më parë pas akuzave për dhunë në familje. Në prononcimin e tij të parë në lidhje me këtë çështje, Trump ka vlerësuar punën e bërë nga ish-vartësi dhe i ka uruar atij gjithë të mirat.
“Ne e morëm vesh për çështjen e tij vetëm së fundmi dhe mbetëm të habitur. Por i urojmë gjithë të mirat, pasi po kalon momente të vështira”, ka thënë Trump. Duke e cilësuar si “shumë të mirë” punën e bërë nga Rob Porter në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i ka uruar atij një karrierë të mbarë në vitet e ardhshme.
“Ne shpresojmë që ai të ketë një karrierë të shkëlqyer përpara dhe do ta ketë. Por u trishtuam shumë kur dëgjuam për çështjen e tij dhe vetë ai është i trishtuar”, ka vijuar Trump. Nga Dhoma Ovale, presidenti i Shteteve të Bashkuara ka kujtuar deklaratën e Porter se është i pafajshëm dhe u ka bërë thirrje gazetarëve që ta kenë parasysh atë. Thuhet se 40-vjeçari, që në selinë presidenciale mbante postin e sekretarit, ka goditur një ish-bashkëshorten e tij duke e nxirë në sy, ndërsa ndaj një tjetre ka ngritur një padi me qëllim kufizimin e lëvizjes. Komentet e Trump vijnë një ditë pasi një zëdhënës tha se Shtëpia e Bardhë mund ta kishte menaxhuar më mirë çështjen./abcnews.al