Akuzat kundër Bashës për rolin në UNMIK, Haradinaj: Nuk është e drejtë të etiketohet

schedule20:51 - 25 Nëntor, 2020

schedule 20:51 - 25 Nëntor, 2020

Akuzat kundër Lulzim Bashës për kasetën e masakrës së Krushës apo “Shtëpinë e Verdhë” lidhur me rolin e tij gjatë kohës që ishte pjesë e UNMIK-ut, u kthyen në kryefjalë nga shumica socialiste në Shqipëri, tashmë që kupola e UÇK-së ndodhet në Hagë.

Madje, Partia Socialiste ngriti edhe një komision hetimor parlamentar kundër kryedemokratit, që shkaktoi një zhurmë politike në Tiranë. Por cfarë mendon Ramush Haradinaj? I pyetur mbrëmjen e sotme në emisionin “Ballkan” të gazetares Linda Karadaku, Haradinaj tha se nuk e sheh të drejtë, që të etiketohen njerëzit për një periudhë të caktuar të angazhimit në institucionet e atëhershme ndërkombëtare.

Dikur ka pasur paragjykime për njerëz tonë që kanë punuar në mekanizma ndërkombëtarë, në ambasada, OKB, etj, etj. Unë mendoj që ne duhet të ndihemi fitues se në kuadër të atyre mijëra njerëzve të huaj që kanë ardhur që nga Afrika, që nga India, Rusi ka pasur, Kinë, pse me na pengu që aty punojnë edhe shqiptarë. 

Ku me marrë që është një vëlla i yni, një motër e jona, që ka punuar në UNMIK, se aty kanë qenë nga të gjitha kombet e tjera, nga plot kombe që sot janë jo-njohëse për Kosovën. Unë nuk i kuptoj këto dëshirat menjëherë ta etiketojë dikënd se për një kohë të caktuar ka punuar në UNMIK, ose ka punuar në OSBE, ose ka punuar në një ambasadë. Po shiko, ajo është përvojë e fituar, është njohje, kupton logjikat e atyre mekanizmave, edhe është një lloj aftësimi profesional.  

Pra unë e kam zv/ kryeministri ynë i parë, ka punuar për OSBE-në, nga atje e kam marrë, ai ka sjellë përvojë, kam marrë njerëz që kanë punuar në ambasada, se fiton nga këta njerëz. Nuk e shoh të drejtë, pra që të etiketohen njerëzit për një periudhë të caktuar të angazhimit në institucionet e atëhershme ndërkombëtare se në fund të fundit ka qenë edhe mbijetesë, pagë, pra dikush ka shkuar ka marrë pagën ka siguruar jetën. 

Unë kam shumë miq në Shqipëri, kemi pasur një bashkëpunim të vazhdueshëm si me socialistët, nga të gjitha nivelet, si me të djathtët, në të gjitha nivelet, tani një kohë, ta quaj, komunikim im, është vështirësuar, por ruaj komunikim të mirë me presidentin Meta, Berishën, Kryemadhin, Lul Bashën, por edhe me socialistë” tha ai./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!