Akuzat e Halilajt, Laçi: I papërgjegjshëm! Si ka mundësi e dinte kush rrezikonte te ne?!

schedule11:19 - 1 Mars, 2020

schedule 11:19 - 1 Mars, 2020

Luftëtari-Laçi luhet edhe jashtë fushe. Presidenti Bekim Halilaj akuzoi përmes një intervistë të dhënë në “Panorama Sport”, se gjyqtari Kridens Meta është “punëtor” i kurbinasve dhe se në takimin e djeshëm ai u kujdes që të mos ndëshkonte me kartonë të verdhë lojtarët që rrezikonin të mungonin në takimin kundër Bylisit. Në Laç i habit diçka e tillë dhe kanë reaguar.

“KF Laçi ndihet i indinjuar mbi deklaratën e bërë sot nga presidenti i Luftëtarit, Bekim Halilaj, si dhe shpreh habinë se si ai ka dijeni edhe për lojtarët tanë të cilët rrezikojnë prej kartonëve të verdhë. Kjo na bën ne edhe të mendojmë se dikush i ka informuar ata dhe ka qenë i interesuar që të na mungonin ndeshjen e radhës.

LEXO EDHE: “Këtu është e shitur çdo gjë, Jugu po zhduket dhe po shkon futbolli në mal”

Ndoshta në Gjirokastër do kishin dashur edhe t’i ndihmonin. Sigurisht nuk kemi asnjë provë dhe nuk mund të akuzojmë askënd, por kur një president del dhe e thotë diçka të tillë, të lindin edhe dyshime. Gjithsesi, e përsërisim se nuk akuzojmë askënd”, shkruhet në një pjesë të qëndrimit të klubit kurbinas.

Ka edhe diçka tjetër që nuk u ka pëlqyer bardhezinjve, pjesa ku Halilaj deklaron se Jugu po zhduket nga futbolli elitar dhe futbolli po shkon në mal. Për këtë klubi i Laçit kërkon që edhe të merren masa ndaj presidenti të Luftëtarit, të cilin e cilësojnë si të papërgjegjshëm.

LEXO EDHE: “Futbolli shkoi në mal”, Alcani-Halilajt: E pavend, mos bëni ndasi Jug-Veri

“Na vjen keq edhe për tentativën që bëhet për të bërë një ndarje “Jug-Veri”, madje arrihet deri ne ofendime sa përmendet fjala “malok”. Kjo është e patolerueshme. Instancat përkatëse duhet te ndërhyjnë menjëherë dhe të marrin masa për këtë njeri të papërgjegjshëm .

Të gjithë mund të kemi pretendimet tona për gjykimin, por nuk është në të mirë të futbollit që të hidhen akuza të paprovuara, nisur nga fjalë lart e poshtë, që e kanë dëmtuar futbollin tonë. Për më tepër, bëhen edhe deklarata jo etike, që nuk i shërbejnë askujt dhe nxitin vetëm urrejtje, gjë që sporti nuk e ka aspak në qëllimin e tij”, përfundon reagimi i klubit të Laçit./abcnews.al

https://www.instagram.com/p/B9L_9uYAH-1/?utm_source=ig_web_copy_link

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!