Pasi SPAK zbuloi se Gazment Bardhi nuk ka bërë kallëzim penal ndaj vëllait të kryeministrit, Edi Rama ka reaguar për blofin e radhës së numrit dy të foltores.
“Kam bërë kallëzim” po kallëzim s’paska bërë thotë SPAK-u, ndërkohë që kallëzimi që s’qenka bërë iu është shitur si sapun për djathë italianëve të atij emisionit të turpshëm për Shqipërinë, të cilëve letrat e kallëzimit inekzistent të ulëritur në parlament u janë ofruar si akte gjyqësore! Hajde hajde ç’vete!”, shprehet Rama.
Sipas kryeministrit këto spërdredhje me të vërtetën, Bardhi i bën për t’i shpëtuar rrezikut të dënimit për kallëzim të rremë.
“Kjo historia e kallëzimit të pakallëzuar për t’i shpëtuar rrezikut të dënimit për kallëzim të rremë është një nivel i ri pafytyrësie karshi publikut shqiptar, se palo burra që hedhin gurin e fshehin dorën ka parë plot kjo tokë, po soj burri që të ngrejë dorën sikur ka hedhur gurin, duke u hakërryer si të kishte vrarë shtatë zogj me atë gur që s’paska ekzistuar fare, nuk na kishin zënë akoma sytë!”, shkruan Rama.
Kreu i qeverise e akuzon Bardhin për sulme ndaj Shqipërisë përmes të huajve dhe se me gënjeshtrat e tij ka furnizuar gazetaret italianë të Rai 3. Gënjeshtra që shumë shpejt do dalin zbuluar kudo, thotë Rama.
“S’duhet të jetë burrë se s’ka mundësi, është thjesht çingije që ngre dorën duke kërcyer prehër më prehër sikur ka gur për të hedhur. Po s’ka shans që kjo gënjeshtër me fustan të shkurtër të mbetet pa dalë cullak faqe shqiptarëve, siç po dalin shpejt e shpejt cullak faqe italianëve edhe gënjeshtrat që ky soj shqiposh pa atdhe ia dha autorëve të atij emisionit skandaloz, për të kthyer në Itali kohën e vdekur kur Shqipëria ishte vend i zi dhe shqiptarët ishin delet e zeza të Europës! Ta harrojë kush e tenton, ajo kohë nuk kthehet më se Shqipërisë dhe shqiptarëve s’u drejtohet dot më askush si të ishin jetimë pa identitet e pa gojë.”, thotë më tej kryeministri Rama.
/abcnews.al/