Akuza për korrupsion, ndalohet ish-presidenti i Moldavisë

schedule14:19 - 24 Maj, 2022

schedule 14:19 - 24 Maj, 2022

Ish-presidenti i Moldavisë, Igor Dodon është ndaluar në shtëpinë e tij në Kishinau gjatë një bastisje nga prokurorët e sektorit anti-korrupsion dhe është mbajtur në komisariat përreth 72 orë, sipas mediave të huaja.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme moldave, Maria Cherpec tha për mediat lokale se Dodon, i cili njihet si një politikan pro-rus, dyshohet për korrupsion, pasuri të paligjshme dhe ryshfet.

Dodon, i cili shërbeu si president i Moldavisë në vitet 2016-2020 është ndaluar nga policia së bashku me kunatin e tij, Petru Merineanu. Paraditen e së martës punonjës të Shërbimit të Informacionit dhe Sigurisë së bashku me Prokurorinë Kundër Korrupsionit kanë kontrolluar shtëpinë e Dodon-it dhe 12 ambiente të tjera, ku përfshihet zyra e unionit të biznesit moldavo-rus.

Ndërkohë, anëtarët e Partisë Socialiste të Dodonit hodhën poshtë akuzat, duke thënë se ishin pjesë e një “show që nuk vlen dy lekë” dhe që synonte të largonte vëmendjen e publikut nga varfëria dhe çështjet sociale.

Dodon humbi zgjedhjet e nëntorit 2020 nga Maia Sandu, një politikane e shkolluar në SHBA, e cila kandidoi duke premtuar marrëdhënie më të ngushta me Perëndimin. Me të në krye, Moldavia aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Europian në mars pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!