Akuza për fshehje pasurie, ndërpritet seanca për anëtarin e KPA-së, “shantazhon” gjyqtaren: Je mike me kallëzuesen time

schedule10:36 - 15 Shtator, 2022

schedule 10:36 - 15 Shtator, 2022

Ka përfunduar seanca e anëtarit të KPS-së, Ardian Hajdari, i cili u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme për tu përballur me akuzën e fshehjes së pasurisë dhe deklarimit të rremë.

Hajdari u paraqit pa avokat, teksa i kërkoi gjyqtares Atalanta Zeqirit të tërhiqej, me pretendimin se ka miqësi me Antoneta Sevdarin, ish-prokuroren që e ka kallëzuar në SPAK.

Hajdari paraqiti edhe dy fotografi të Sevdarit me Zeqirin, teksa kjo e fundit ndërpreu seancën derisa Hajdari të dorëzojë kërkesën me shkrim për përjashtim duke shtuar se do të mbante edhe vetë një qëndrim

 

“E nderuar zonja gjyqtare, pa dashur të paragjykoj funksionin tuaj dhe personin tuaj, mbrëmë duke naviguar në internet, mu shfaqen fotot tuaja me kallëzuesen time, Antoneta Sevdari, ku duken marrëdhëniet tuaj më shumë se njerëzore, një afeksion mes jush miqësor, që për mua përsëris,pa dashur të paragjykoj, ngjall frikë për procesin e padrejtë dhe në limitet e ligjshmërisë ndaj meje. Nuk kisha kohë ta bëja me shkrim kërkesën, për përjashtimin tuaj, por dua që kjo seancë të ndërpritet. Në fakt që kur kam parë fotot në kohën kur ju u rikonfirmuat në detyrë, kam menduar se do ishit ju që duhet të ishit dorëhequr nga çështja, por megjithatë, më lini kohë ta parashtroj kërkesën time me shkrim”, ka thënë Ardian Hajdari në SPAK sot.

Kujtojmë se prej 7 shkurtit 2022, Hajdari është pezulluar nga detyra në KPA, pasi u mor i pandehur nga SPAK.

Ardian Hajdari është anëtari i dytë i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që procedohet penalisht pas Luan Dacit, tashmë i shkarkuar. Daci u shpall fajtor me vendim të formës së prerë për falsifikimin e formularit të aplikimit që e zgjodhi atë anëtar të Kolegjit.

Më 24 qershor 2020, Hajdari u kallëzua penalisht në SPAK me pretendimin se kishte gënjyer në aplikimin për t’u zgjedhur anëtar i KPA-së përmes falsifikimit të dokumenteve. Kallëzimi i referohej deklarimit të tij se punonte prej 17 vitesh si avokat. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!