Nick Cordero, 41 vjeç, shumë i njohur në fushën e aktrimit në Broadway, pas infektimit me Covid-19, ka qenë në një gjendje kome të induktuar nga mjekësia. Beteja e tij me virusin ka qenë e vështirë, por shumë frymëzuese.
Ishte një udhëtim shqetësues, të cilit fatmirësisht i erdhi fundi në një mënyrë të lumtur, pasi Cordero më në fund u zgjua nga koma, pasi ka qenë i shtruar në spital që nga fundi i marsit.
Ata duhej t’i prisnin këmbën
Nick fillimisht u diagnostikua me pneumoni, e cila përfundimisht doli të ishte Covid-19. Ndërsa po trajtohej në kujdes intensiv, presioni i gjakut i ishte ulur jashtë normales.
Koronavirusi shkaktoi një ndërlikim, një mpiksje gjaku në këmbën e djathtë. Në fillim, atij iu dha hollues i gjakut për të kundërshtuar efektin e komplikimit, por kjo shkaktoi gjakderdhje të brendshme. Zgjidhja e vetme ishte prerja e këmbës.
Megjithatë, Nick ka pësuar edhe një sërë ndërlikimesh të tjera, duke përfshirë dy goditje në tru, infektim dhe një sëmundje në mushkëri, sipas Amanda Kloots, bashkëshortes së tij.
Ai ka qenë i pavetëdijshëm deri më 12 maj.
Pas më shumë se 40 ditësh në spital, procedurave dhe trajtimeve të panumërta që ai kaloi, Nick më në fund hapi sytë më 12 maj.
Lajmi i gëzueshëm u publikua nga bashkëshortja e Cordero-s, instruktorja e fitnesit, Amanda Kloots, e cila postoi në Instagram se më në fund ishte zgjuar nga koma e krijuar nga mjekët, për të mirën e tij.
“Dada është zgjuar, ai është zgjuar njerëz. E pyeta mjekun sot: ‘A mund të themi se është zgjuar?’ Ai është zgjuar. Vetëm se Nick është aq i dobët tani, sa thjesht hapja dhe mbyllja e syve i harxhon të gjithë energjinë.”- ka thënë ajo.
Nick Cordero luajti në ‘Rock Of Ages’ derisa shfaqja u mbyll për shkak të pandemisë. Pasi u diagnostikua në mars, gjendja e tij ishte përkeqësuar dhe përfundoi në kujdes intensiv, duke luftuar për jetën.
Gjatë gjithë betejës së tij me virusin, bashkëshortja, Amanda, ishte duke luftuar bashkë me të. Ajo besoi thellë në shërimin e tij dhe qëndroi optimiste edhe në momentet më të vështira./abcnews.al