Aktivizohen planet e emergjencës, spitalet në gatishmëri

schedule12:25 - 1 Dhjetor, 2017

schedule 12:25 - 1 Dhjetor, 2017

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale znj. Ogerta Manastirliu ka urdhëruar aktivizimin e planit të gadishmërisë shëndetësore si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga moti i keq që ka përfshirë të gjithë vendin.

Të gjitha strukturat shëndetësore kanë aktivizuar planet e emergjencës, duke siguruar shtim të kapaciteteve në rast nevojë për të përballuar një rritje të sëmundshmërisë apo ngjarjeve të tjera që kanë lidhje me situatën e krijuar; sigurimin e barnave dhe materialeve mjekësore për çdo fluks potencial emergjence; sigurimin e energjisë, ujit dhe ngrohjes së spitaleve.

Njësia e helikopterëve është në gadishmëri të plotë për çdo ndërhyrje të nevojshme.

Ministrja Manastirliu ka urdhëruar gjithashtu strukturat e shëndetit publik të marrin masa për ofrimin e shërbimit shëndetësor për popullatën që evakuohet si pasojë e situatës së krijuar.

Nga ana tjetër, drejtoritë e shëndetit publik po monitorojnë situatën në kuadër të garantimit të masave për shëndetin publik.

Situata në spitale është nën kontroll dhe të gjitha strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, janë në gadishmëri për të përballuar çdo emergjencë të mundshme, si pasojë e motit të keq që ka përfshirë të gjithë vendin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!