Aktiviteti “Java e Parasë 2021”, Sejko: Brezi i ri duhet të njihet me botën e ndërlikuar të financave

schedule10:21 - 24 Mars, 2021

schedule 10:21 - 24 Mars, 2021

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko gjatë fjalës së tij në aktivitetin “Java e parasë 2021”, deklaroi se synimi i Bankës së Shqipërisë është afrimi brezit të ri me botën e financave, për tu njohur me rreziqet si edhe produktet e larmishme bankare e financiare.

“Iniciativat edukuese të Bankës së Shqipërisë nuk kufizohen vetëm në aktivitetet e Javës Globale të Parasë. Edukimi financiar i publikut është pjesë e rëndësishme e punës së përditshme ku përmes mjeteve edukative virtuale të vendosura në faqen tonë zyrtare, nxënësit dhe mësuesit mund të mësojnë gjatë gjithë vitit mbi çështje të financave, duke parë video dhe shfletuar literaturë dedikuar arsimit parauniversitar dhe studentëve”, kështu është shprehur Sejko, ndërsa ka theksuar se edukimi financiar duhet të nisë më herët, për shkak se në këtë mënyrë brezi i ri përfiton gradualisht njohuritë për të marrë vendime të shëndosha financiare

Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe ministrja e Arsimit Evis Kushi, e cila deklaroi se shoqëria shqiptare duhet të reflektojë për t’i dhënë vlerën e duhur parasë.

Më tej, aktiviteti vijoi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e konkurseve të organizuara nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave me rastin e Javës së Parasë.

Në kuadër të kësaj jave u organizuan katër konkurse mbi temën “Kujdesu për veten, kujdesu për paratë e tua”.

Konkursi i parë i organizuar ishte ai i “Vizatimit të Mirë” drejtuar nxënësve të klasave të V të vendit, konkursi i dytë ishte ai mbi fotomontazhet (memet) më të mira, drejtuar nxënësve të klasave VII dhe VIII në të gjithë vendin.

Konkursi i tretë ishte ai mbi videon më të mirë drejtuar gjimnazistëve të vendit, dhe konkursi i katërt ai mbi postimin më të mirë në Facebook me temë “Ndikimi i Covid-19 në ekonomi dhe kujdesi për financat personale në periudha pandemie”, drejtuar studentëve të degëve Ekonomi/ Financë-Bankë.

Gjithashtu, në kuadër të Javës së Parasë 2021, në datën 25 mars do të organizohet për herë të tretë Kuizi Evropian i Parasë, një konkurs mbarëevropian me qëllim përmirësimin e kulturës financiare të fëmijëve në moshën 13-15 vjeç (klasat e 9-ta) pavarësisht lëndëve mësimore që zhvillojnë.

Kuizi pritet të përfshijë qindra nxënës. Fituesit në rang kombëtar, do të konkurrojnë në finalen evropiane të Kuizit Evropian të Parasë, i cili do të zhvillohet online në datë 20 prill 2021.

/abcnews.al/