Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër një të dyshuari lidhur me sulmin ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, në maj të vitit të kaluar në Zveçan.
Prokuroria tha në një njoftim për media të hënën se pas hetimeve disamujore, ngritit aktakuzë kundër të dyshuarit me inicialet D.D., për dy vepra penale, sulm ndaj personit zyrtar, si dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepre penale dhe huliganizëm.
Sipas aktakuzës, i dyshuari “në bashkëveprim dhe koordinim” me të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova e Serbia, përmes “përdorimit të dhunës, armëve e mjeteve tjera të forta, i sulmuan dhe seriozisht i kanosën ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dëme materiale” gjatë protestave të 29 prillit 2023 pranë Komunës së Zveçanit.
Dhuna në Zveçan shpërtheu kur serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pas zgjedhjeve të majit 2023 që ishin bojkotuar nga ta.
Prokurori tha se i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prishtinë të vazhdojë ta mbajë në paraburgim të dyshuarin deri në përfundim të gjykimit ndaj tij.