Akt ekspertiza e 1979, si e groposën Maks Velon kolegët e Lidhjes së Shkrimtarëve

schedule13:37 - 8 Maj, 2020

schedule 13:37 - 8 Maj, 2020

Absurdi i Lidhjes së Shkrimtarëve: Maks Velo kopjonte famëkeqin Pikaso

Të shohësh me kujdes dokumentet e arkivit të Ministrisë së Brendshme, për Maks Velon, inxhinierin dhe artistin që sapo ndërroi jetë, mund të vish vetëm në një përfundim:

Ai është viktimë e familjes së tij.

Por kjo është njëra anë e medaljes. Ajo që duket e ka fundosur përfundimisht Maks Velon, duke e dërguar në burg, është një akt-ekspertimi i Lidhjes së Shkrimtarëve, që mban datën 15 mars 1979.

Është një dokument i hollësishëm i hartuar me kërkesë të Sigurimit të Shtetit, ku “ekspertët” e Lidhjes së Shkrimtarëve dalin në konkluzionin se pikturat e Maks Velos ishin “në pozitat e një arti formalist, të rrymave dhe drejtimeve borgjeze dhe revizioniste, duke përfshirë eksperimentizmin, abstraksionin, kubizmin, duke ju referuar e mbështetur në veprën reaksionare të ekspresionistëve gjermanë , në krijimtarinë famëkeqe të Pabllo Pikasos, Brakut, Matisit, Kandinskijt etj.”

Më tej akti i ekspertimit, i hartuar dhe nënshkruar nga Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve, Kujtim Buza, Foto Stamo dhe Skënder Milori, të gjithë piktorë dhe anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve, merr në shqyrtim të gjitha punimet në pikturë të Maks Velos të sekuestruara nga Sigurimi i Shtetit.

Këto piktura, sipas kolegëve, janë të influencuara nga arti borgjez e revizionist, janë “të pjella dhe ndikimet direkte të artit formalist, shprehje e degjenerimit të plotë të këtij njeriu që me trup jetonte në tokën tonë, por me mendje dhe zemër në bulevardet e Parisit, Nju Jorkut, Moskës dhe mbase po ti premtonte koha, edhe të Pekinit revizionist.”

Në fund, si të nënshkruanin një pretencë dënimi, kolegët kanë shkruar këtë gjykim:

“Krijimtaria e këtij pseudoartisti është pjellë e degjenerimit politik dhe moral, mohim i kulturës dhe artit të madh dhe të lavdishëm të popullit dhe të artistëve tanë militantë që punojnë dhe jetojnë si revolucionarë që me veprën dhe shembullin e tyre, të udhëhequr nga ideologjia marksiste-leniniste, mësimet e Partisë dhe të shokut Enver, kanë krijuar vepra të fuqishme realiste, pasqyrë e epokës sonë të lavdishme të Partisë së Punës së Shqipërisë.

E gjithë ‘krijimtaria’ e Maks Velos bie në kundërshtim me porositë dhe mësimet e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe ju kundërvihet në mënyrë të hapur vijës politike të Partisë dhe realizmit socialist në art”./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!