Mbremjen e së mërkurës, 28 gusht, policia mori një aksion në Shkozet të Durrësit, ku u arrestuan disa persona për armëmbajtje pa leje. Në pranga ra edhe Aldi Mustafa, një emër i dëgjuar për policinë.
Gazetarja e kronikës së zezë Etleva Delia në një intervistë për “News Line” në ABC News, me gazetaren Rovena Neziri tha se Aldi Mustafa është një person me precedent të theksuar kriminal. Mustafa njihet si shoku i “Rumit të Shijakut” dhe mbi të rëndojnë një sërë veprash penale, përfshirë edhe një dënim të mëparshëm në Gjermani.
Etleva Delia tha se aksioni policor i ditës së djeshme ka për synim goditjen e personave që mbajnë armë pa leje me vete.
“Aldi Mustafa është një person me precedent të theksuar kriminal. Edhe kur ka qenë i dyshuar në shumë raste nuk është arritur që të verifikohet autorësia e tij. Së fundmi ka qenë i lidhur dhe me ‘Rumin e Shijakut’ ka qenë gjithmonë në ndjekje dhe për shumë atentate. Tani ishte në kërkim edhe për shpërthim me tritol në një makinë. Aldi Mustafa ka një skedë kriminale të hershme pa përjashtuar edhe dënimin që ka marrë në gjermani.
Ngjarja është më tepër edhe një lloj objektivi që ka policia për goditjen e personave që mbajnë armë pa leje. Në rastin konkret Aldi Mustafa kishte pistoletë me vete, gati për qitje. Aldi Mustafa ka dëshmuar se nuk është një nga ata persona që preferon që të bashkëpunojë me policinë. Marrim shembull atentatin me eksploziv që u vendos në makinën e tij, ku ai refuzoi të jepte detaje. Është herët të themi nëse është pjesë e një grupi, apo nëse policia po heton një grup. Duke qenë se ai ka qenë pjesë e disa rasteve kriminale, pritet që të dalin më shumë informacione në vazhdim”, tha Etleva Delia./abcnews.al

