Aksioni për ujin në Tiranë, 8 të shoqëruar për lidhje të paligjshme

schedule18:04 - 7 Shkurt, 2018

schedule 18:04 - 7 Shkurt, 2018

Kush ka një lidhje të paligjshme uji ta formalizojë brenda 28 Shkurtit. Apeli për konsumatorët familjarë vjen nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku. Aktualisht grupet e task-forcës po verifikojnë bizneset, 8 përfaqësuses të të cilëve janë shoqëruar në polici për lidhje të paligjshme të ujit.

280 biznese të kontrolluara dhe 8 përfaqësues të tyre të shoqeruar në polici. Ky është bilanci i javës së parë të aksionit për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të ujit të pijshëm në Tiranë.

Rreth 15 grupe Task-Forcë, me ndihmën e Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake dhe stafit teknik të ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve po vijojnë verifikimin në terren.
Aksioni pranë zonës së “21 Dhjetorit” dhe “Zogu të Zi”, u ndoq nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, dhe Drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla.

“Vazhdon në mënyrë intensive kontrolli në të gjitha bizneset e qytetit të Tiranës, të cilët shërbehen nga UKT, për lidhje të paligjshme të ujit. Sot jemi duke funksionuar me më shumë se 15 grupe pune, të cilat njëkohësisht në disa zona të qytetit po kontrollojnë bizneset, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake, Tatimet Qendrore dhe Tatimet e Bashkisë, në mënyrë që çdo biznes që ka një lidhje uji, ta ketë atë me kontratë të ligjshme, funksionale dhe sipas rregullave”.

Nënkryetari i Bashkisë i bëri thirrje konsumatorëve familjarë të përfitojnë nga koha e lënë në dispozicion. Të lidhin kontrata të rregullta dhe të nënshkruajnë akt-marrëveshjet për pagesat e prapambetura deri më 28 Shkurt.

“Përfitoj nga rasti për t’u thënë të gjithë qytetarëve të Tiranës, që nëse kanë një lidhje të paligjshme të vijnë ta fomalizojnë, të marrin një kontratë me UKT-në në mënyrë që të mos penalizohen. Të kenë mundësi që në qoftë se kanë pagesa të prapambetura të bëjnë sërish një marrëveshje me UKT-n për t’i bërë këto pagesa me këste për një periudhë të gjatë”.

Mazniku theksoi se UKT është e vendosur që të përfundojë me inspektimin e gjithë bizneseve dhe nga 1 Marsi të vijojnë verifikimet edhe te konsumatorët familjarë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!