Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi ka dalë kundër aksionit të ndërmarrë nga kryeministri Edi Rama për prishjen e ndërtimeve në bregdet, gjatë sezonit turistik.
Nga Velipoja, Ademi deklaroi se në zonën e Velipojës nuk ka probleme me ndërtimet pa leje.
“Nuk kemi ndërtime pa leje janë struktura të lehta që hiqen dhe vendosen. Kjo është situata në Velipojë. Ndërtime të tjera që kanë thyer rregullat e ligjit sigurisht që askush nuk mund të jetë mbi ligjin”, ka thënë ajo.
Ajo kërkoi që të mos dëmtohet imazhi i sezonit turistik me ndërhyrje të Policisë.
“Duhet mbështetur sezoni i mbarë turistik. Mos ketë vendime arbitrare për sezonin turistik. Mos ketë ndërhyrje që dëmtojnë sezonin turistik”, ka thënë ajo.
Të vonuar apo në momention e duhur, fushata për prishjen e objekteve në vijën bregdetare të vendit do të fillojë që prej së hënës.
Qeveria u ka dhënë një javë kohë pronarëve, për të shpëtuar çfarë të munden.
Përpjekje dhe fushata për të rrafshuar ndërtimet pa leje në brezin e detit janë bërë disa herë, por të gjitha kanë përfunduar pa ndonjë sukses.
Megjithatë këtë herë kryeministri Rama ka folur për përgjegjësi, duke paralajmëruar furtunë edhe në ato institucione të cilat nuk kanë lejuar ndërtimin e këtyre ndërtimeve dhe që nuk kanë zbatuar ligjin ndër vite./abcnews.al