Aksioni i SPAK/ GJKKO lë në burg Erzen Breçanin dhe tre të arrestuarit e tjerë

schedule12:58 - 23 Nëntor, 2023

schedule 12:58 - 23 Nëntor, 2023

Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masat e sigurisë ndaj 4 të arrestuarve nga operacioni i fundit i SPAK.

Erzen Breçani, Dedian Gjoni, Bujar Germizi dhe Bujar Ajeti, do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve.

Ndërkaq, Jonida Babameto do të hetohet me masën e sigurisë detyrim paraqitjeje.

Grupi akuzohet për vepra të rënda penale, sigurim kushtesh për vrasje, trafik narkotikësh, pastrim parash dhe përkrahje autori.

Për këtë dosje, SPAK lëshoi 11 masa sigurie, 5 prej të cilave u ekzekutuan, ndërsa 6 u shpallën në kerkim. Mes të shpallurve në kerkim janë djali i Breçanit dhe Ervin Mata.

Ish drejtori i policisë, Erzen Breçani doli këtë të enjte para gjykatës së bashku me tre të arrestuarit e tjerë, të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Ai ka deklaruar se nëse ndodhet në burg është për shkak të djalit të tij, i cili është shpallur në kërkim për trafik droge.

“Ka qenë një vendim i sapomarrë nga GJKKO. Këto hetime sollën arrestimet e Erzen Breçanit, Dedian Gjonit, Bujar Germizit dhe Bujar Ajetit. Këta persona janë lënë nën masën e sigurisë “Arrest në burg”. Kemi pasur edhe një deklaratë nga Erzen Breçani. Ai deklaroi se nëse ndodhet në burg, kjo është prej djalit të tij. Ai i ka kërkuar djalit që të hiqte dorë nga trafikimi i lëndëve narkotike. Ai theksoi se i ka shërbyer shtetit. Janë edhe 6 persona të tjerë në kërkim, pritet shpallja në kërkim ndërkombëtar të tyre”, raportoi gazetari i ABC News, Ervin Leka./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!