Aksion kundër kontrabandës në veri të Kosovës, rezistencë e banorëve serbë

schedule15:40 - 28 Maj, 2019

schedule 15:40 - 28 Maj, 2019

Një aksion i policisë së Kosovës në veri të vendit për të goditur një grup kontrabandistësh ka tensionuar situatën. Si pasojë e rezistencës së armatosur të banorëve serbë dhe reagimit të policisë 10 persona kanë mbetur të plagosur.

Në rezistencë ka hasur policia e Kosovës gjatë një aksioni që ka ndërmarrë për luftimin e kontrabandës në veri të Kosovës. Banorët lokalë serb i janë kundërpërgjigjur me armë aksionit të policisë ku 10 persona mbetën të lënduar.

“Me urdhër të prokurorisë speciale aksioni ka nisur rreth orës 2 të mëngjesit fillimisht nga inspektorati policor dhe njësitë patrulluese policore derisa më vonë ka ardhur në ndihmë njësia speciale e Kosovës”.

Rashit Qalaj, drejtor i Policisë së Kosovës: Që në mëngjes me nisjen e policisë për zbatimin e urdhrit të arrestit dhe bastisjeve të lokacioneve ka hasur në pritë, në gjuajtje me armë në drejtim të policisë.

Këtij aksioni policor i ka paraprirë një hetim paraprak Inspektoratit Policor të Kosovës. Ndërsa janë arrestuar 19 punonjës policor, 11 serbë, 4 shqiptarë dhe katër boshnjakë. Atyre u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh ndërsa janë suspenduar nga puna.

Miradije Kelmendi, Inspektorati Policor i Kosovës: Në mesin të arrestuarve një prej tyre ka qenë në gradën e kapitenit, komandant stacioni, tre në gradën e rreshterit dhe efektivë policorë.

Janë arrestuar edhe disa banorë lokal si dhe një punonjës rus i UNMIK-ut i cili më pas është liruar.

Rashit Qalaj, drejtor i Policisë së Kosovës: Në një nga barrikadat ka qenë një veturë me një zyrtar të UNMIK-ut dhe një lokal. Arsyeja pse e kemi shoqëruar në polici është pjesëmarrja në barrikadë.

Krerët e institucioneve kanë thënë se aksioni në veri të vendit nuk është kundër serbëve në Kosovë, por kundër grupeve kriminale.

Hashim Thaçi, president i Kosovës: Është një ndërmarrje e institucioneve të Kosovës për rend dhe ligj.

Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës: Është një aksion kundër individëve që janë involvuar në trafiqe, kontrabandë dhe në korrupsion.

Kadri Veseli, kryetar i Parlamentit të Kosovës: Ky është një mesazh se të gjithë ata që janë të involvuar në krimin e organizuar dhe në korrupsion, shteti i Kosovës do të jetë pakompromis, pavarësisht se mbajnë petk zyrtar.

Njësitë speciale të Policisë së Kosovës kanë përfunduar aksionin dhe janë tërhequr nga Zubin Potoku rreth orës 12./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!