Aksion i madh në Elbasan, Policia bllokon makina dhe shoqëron disa persona

schedule19:51 - 21 Shtator, 2017

schedule 19:51 - 21 Shtator, 2017

Pas shoqërimit të shumë personave gjatë operacionit të RENEA-s në Elbasan, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako, foli për gazetarët. Ai tha se nuk është kapur ende autori që goditi makinën e policisë, por forcat e policisë janë në kërkim të tij dhe të shumë personave të tjerë me rekorde kriminale. 

Për afro 15 orë qëndroi në krye të operacionit policor në Elbasan. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako shkoi atje pas ngjarjes më të fundit ku makina e nëndrejtorit të policisë vendore u sulmua nga një audi, pronari i të cilit ende nuk është kapur.

Shumë forca policore blinduan dhe vërshuan në lagjet dhe rrugët e Elbasanit.  Forcat Speciale RENEA dhe ato të FNSh-së ndërhynë në banesa e në periferi. Qëllimi ishte kapja dhe goditja kryesisht e atyre që konsiderohen të fortët e Elbasanit.  Si rezultat u bllokuan disa makina luksoze, u kap një person në kërkim për vjedhje me armë. U kontrolluan ambiente, automjete  e persona të dyshuar si dhe u shoqëruan per verifikim 27 persona kryesisht persona me precedentë penal në fusha të ndryshme.

Por gjithashtu ky operacion zhvillohet edhe në kuadër të Plan Operacionit “Vjeshtë 2017”. Çako tha se do identifikohen dhe do sekuestrohen asetet, automjetet dhe pasuritë e vendosura nga veprimtaritë kriminale të grupeve apo organizatave kriminale.

Për një hetim të plotë dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve po bashkëpunohet me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese.

 

https://youtu.be/c1BA1nuDF_8

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!