Mjeti me të cilin udhëtonte kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është përfshirë në një aksident në autostradën Tiranë-Durrës. Aksidenti ndodhi në Qafë Kashar mbrëmjen e së dielës.
Abcnews.al mëson se në aksident janë përfshirë edhe 3 makina të tjera. Sipas burimeve nga grupi hetimor, tre nga mjetet e përfshira në aksident kanë qenë të eskortës së kreut të LVV-së, ndërsa mjeti tjetër ka qenë i patrullës së policisë.
Nga përplasja ka pasur vetëm dëme materiale dhe asnjë person nuk është dëmtuar. Edhe LVV ka konfirmuar për mediat kosovare se nuk ka pasur asnjë person të lënduar.
Ngjarja ndodhi këtë të diel, teksa kreu i LVV po vinte në Tiranë, për një aktivitet në kryeqytet me degën e VV në vendin tonë. Ai erdhi në Shqipëri për të festuar fitoren në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë./abcnews.al