Aksidenti tragjik, si arriti vrasësi të vinte i armatosur dhe në shkelje të orës policore nga Laçi?

schedule11:28 - 11 Nëntor, 2021

schedule 11:28 - 11 Nëntor, 2021

Një aksident tragjik i shkaktuar nga një 30-vjeçar i papërgjegjshëm i mori jetën në orët e para të ditës së sotme në Tiranë një efektivi të policisë së burgjeve dhe një tjetër personi që po udhëtonte në makinën e tij.

Drejtuesi i makinës “Honda”, babai i dy fëmijëve që ndërroi jetë është Luan Cenollari. Viktima e dytë është Ali Bajo, i cili ishte në makinë me policin që natën punonte si taksist për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike.

Autori i aksidentit është Emirjan Doko. “Citroen”-i që drejtohen nga 30-vjeçari po vinte nga “Pallati me Shigjeta” në drejtim të qendrës ndërsa “Honda” nga fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit. Aksidenti ndodhi në orën 03:20.

Lexo edhe: DINAMIKA/ Baba i dy fëmijëve, shoferi që vdiq në aksident ishte polic, punonte natën si taksist

Gazetarja e “ABC” Xhensila Kodra raporton se 30-vjeçari nga Laçi që shkaktoi aksidentin duke u futur me të kuqe në semafor, përveç faktit që ishte i dehur, në makinë iu gjet një armë zjarri pushkë automatike dhe një thikë, e cila u konstatua në momentin që u dërgua në spital.

Por jo vetëm kaq. Pyetja që shtrohet është si arriti që të vinte nga Kurbini në drejtim të Tiranës në shkelje të orës policore pa u ndaluar nga asnjë postbllok? Misteri tjetër është se cili ishte destinacioni i të riut që erdhi i armatosur nga Kurbini?

Në vijim pas marrjes së dëshmisë së tij, por edhe hetimeve të tjera, policia dhe prokuroria pritet që të hedhin më shumë dritë mbi ngjarjen e rëndë që u mori jetën dy njerëzve të pafajshëm./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!