Aksidentet rrugore janë një problem alarmant për Kosovën.
Vetëm gjatë vitit 2025-janë shënuar mbi 100 viktima në rrugët e vendit, ndërsa në to kanë lënë jetën më shumë se 3000 qytetarë që nga viti 2000.
Të dhënat janë bërë publike nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, gjatë konferencës vjetore të këtij institucioni, i cili ka kërkuar edhe ndihmën e qeverisë për ndërhyrje në menaxhimin e problematikës.
“Problemet që kanë shënuar rritje është rastet e rënda të fataliteteve që jo vetëm në Prishtinë por gjithandej Kosovës, kemi pasur rritje të rasteve me fatalitet në trafik mbi 100 persona të vdekur në trafik nga 89 që kemi pasur një vit më herët… Kosova që nga viti 2000 mijë deri më sot i ka humbur mbi 3 mijë e 111 njerëz në trafik. Është një numër i madh i jetëve të humbura në trafik dhe një prej prioriteteve ka me qenë siguria në trafik. Por që këtë punë policia nuk mund ta bëjë e vetme, na duhet mbështetja e komunave, e ministrisë së infrastrukturës dhe e gjithë shoqërisë sidomos te vetëdijesimi i njerëzve”, tha drejtori i policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
“Lëvizjet e shpeshta të personelit dhe mungesat e personelit policor të graduar, angazhimet shtesë në Mitrovicë Veri, angazhimet në numër të lartë të organizimeve vendore e ndërkombëtare në kryeqytet, angazhimi në pika statike dhe objekte me rëndësi të veçantë, mungesa e hapësirë së mjaftueshme për DRP Prishtinë dhe kryeqytet”, tha drejtorit i policisë rajonale Prishtinë, Bastri Shabani.
Gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit 2025, Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Prishtinë ka trajtuar 19 mijë e 941 raste, një rritje në krahasim me vitin 2024 ku ishin raportuar 19 mijë e 874 raste, përfshirë aksidente, dhunë në familje, vrasje, tenttaivë për vrasje apo grabitje.


